BKS- ja lansoi sistemin “INSUREX”, Inovacion në Industrinë e Sigurimeve
Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), sot edhe zyrtarisht lansoi sistemin INSUREX që është një inovacion në Industrinë e Sigurimeve në vendin tonë.
Gjatë prezantimit të sistemit, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit Sami Mazreku ka thënë se prej sot Byroja Kosovare e Sigurimit, në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve dhe kompaninë Quantix (si zhvilluese e softuerit), kalojnë në sistemin e ri informativ të lëshimit të policave të detyrueshme ligjore TPL dhe TPL Plus dhe menaxhimit të dëmeve respektive.
“Sistemi i ri elektronik, vjen si rrjedhojë e natyrshme e riorganizimit të byrosë, me qëllim të promovimit, avancimit dhe hapjes së mëtutjeshme të Industrise së Sigurimeve. Në kuadër të këtij riorganizimi është krijuar funksionalizuar edhe Qendra Informative, e cila do të merret me menaxhimin e sistemeve elektronike dhe avancimin e agjendes digjitale, me qëllim të ofrimit sa me të mirë të shërbimeve të sigurimit për industrinë dhe qytetaret”, ka thënë drejtori Mazreku.
Ai më tutje ka bërë të ditur se pas më shumë se një viti zhvillimi intenziv të sistemit, të dhjetë ra takimeve dhe grupeve punuese nga kompania implementuese, industria e sigurimeve, Byroja Kosovare e Sigurimit, si dhe institucionet relevante të Republikës së Kosovës, si QRA – Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, Agjencia per Regjistrimin e Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, Agjensioni Kadastral të Kosovës dhe të tjera, erdhëm me një sistem modern elektronik. Pra, kemi të bëjmë me metodologjitë dhe teknologjitë me moderne të kohës, pasi ky sistem është i bazuar në ligjet e vendit dhe ato ndërkombetare për mbrojtjën e informacionit, privatësisë dhe sigurisë së lartë, e që do t’na lejoj të punojmë më shpejtë e më shumë në drejtim të avancimit të tregut të sigurimeve në vend”, u shpreh Mazreku.
Ai në fund ka bërë të ditur se gjate vitit 2022 do të ketë edhe shumë risi që për qëllim kanë lehtësimin e punës si për qytetarët, ashtu edhe për Industrinë e Sigurimeve në Kosovë.