Blair: Do ta vazhdojë ndihmën për Kosovën
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, gjatë një konference për medie bashkë me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, ka thënë se është falënderues ndaj tij për gjithë atë që ai ka bërë për popullin e Kosovës.
Ai ka theksuar se ndihet jashtëzakonisht mirë për mundësinë që ta nderojë me çmimin “Qytetar Nderi” i Prishtinës.
“E dini të gjithë se çfarë ka dhënë Tony Blair për vendit tonë me punën e tij të madhe jo vetëm që ka bind popullin britanik se intervenimi në Kosovë është shumë i nevojshëm dhe i drejt, por e ka bind edhe Amerikën edhe botën dhe i falënderohemi nga zemra që sot është këtu dhe mundemi personalisht ta nderojmë me nderin e madh si qytetar i nderit i qytetit. Unë i falënderoj edhe njëherë gjithë ata që ka bërë për popullin kosovar këtu por edhe për popullin shqiptar në Britani”, ka thënë Rama.
Ndërsa ish-kryeministri Tony Blair, ka theksuar se do ta ndihmojë Kosovën në çfarëdo mënyre që do të ketë mundësi.
“Jam shumë i nderuar me qenë prishtinali! Ky është një simbol shumë i rëndësishëm për mua, ju jeni një shembull i shkëlqyeshëm. Dikush që ka qenë jashtë tash është kthyer dhe ka marr një rol publik. Prishtina është një qytet i gjallerishëm një qytet ku e ndjen që rinia e qytetit është një mënyrë shpirti i këtij qyteti dhe është një qytet ka edhe shumë mundësi të jashtëzakonshme. Tash keni disa cilësi të rëndësishme këtu keni inovacionin e teknologjisë, një prej gjerave me të rëndësishme që mundet me pas një shtet sot. Mendoj që është shumë me rëndësi ata prej nesh që ishim krah Kosovës me krenari në ato ditë të errëta është me rëndësi që qëndrojmë sot me ju”, ka thënë Blair, duke premtuar vazhdimin e ndihmës për Kosovën.