Blakaj: Ka mundësi të shpallet tender i ri për projektin e Kullave të Jasharajve
Gjendja e rëndë e kullave të familjes Jashari në Prekaz ka nxitur reagime me kërkesën për ndërhyrje urgjente. Vite më parë ishte bërë përzgjedhja e projektit të restaurimit dhe konservimit, por që i mplentimi i tij nuk dihet se kur do të fillojë.
Projekti i kompanisë sllovene “AG-Inziniring” ishte shpallur fitues për restaurimin dhe konservimin e kullave, mirëpo kritikat për të nuk kanë munguar.
Duke qenë kështu, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Idriz Blakaj, në një intervistë për “Ndërtimi.info”, ka lënë të hapur mundësinë që ky projekt të ndërrohet.
“Ka mundësi me u shpall tender i ri, kjo është në kompetencat e Komisionit Parlamentar dhe tash pas aprovimit të ri, të komisionit ndërinstitucional të cilin duhet ta formojnë për shpalljen e tenderit për ekzekutim të punëve. Por, e mira e të mirës është që nëse dikush dyshon në këtë projekt atëherë mund të thirren ekspertë të jashtëm, ekspertë të lëmisë të cilët do ta verifikonin. Edhe pse ne duke e pasur parasysh këtë punë, e kemi bërë edhe revidimin përmes një eksperti italian të Venedikut, i cili është i njohur krejt Evropën. Ai e ka bërë revidimin e projektit dhe i ka dhënë disa vërejtje të vogla të cilat shumë lehtë mund të eliminohen prej kompanisë e mbikëqyr”, ka thënë ai.
Për projektin e hartuar nga kompania sllovene është thënë se është krejtësisht teknik dhe nuk ka asnjë lidhje simbolike me historinë e familjes Jashari.