Blakaj lëshoi mundësinë të jetë hero i gjallë i Kosovës së pasluftës

30 gusht 2018 | 11:20

Ylber Çitaku

Krejt njëjtë! (3)

Komandantë të UÇK-së, deputetë e qeveritarë, kryetarë partish politike, kryetarë komunash, gazetarë, prokurorë gjykatës, qytetarë…

Si rezultat i këtyre veprimeve shantazhuese sot kemi gazetarë që brenda një kohe relativisht të shkurtër janë persona me shumë ndikim te liderët e partive politike; janë pronarë ose aksionarë të mediumeve me vlerë disamilionëshe deri në dhjetëramilionëshe; janë pronarë ose aksionarë të gurthyesve, kompanive, bordeleve, hoteleve e patundshmërive me vlera prej disa milionëshe në disa dhjetëramilionëshe. Sigurisht se profesioni i gazetarisë është profesion i shenjtë, por që gazetarët e Kosovës në shumicën absolute të rasteve këtë profesion e kanë shfrytëzuar për ta materializuar për interesa dhe përfitime personale duke lënë krejtësisht anash profesionalizmin; profesionalizmi i gazetarit është interes i qytetarit, interes i vendit dhe i botës së qytetëruar e demokratike. Si rezultat i krejt kësaj në Kosovën e pasluftës kemi pasur gazetar deputet, gazetar ministër e zëvendësministër, madje kemi pasur edhe gazetar që kanë shkuar në vende të ndryshme të botës si ambasador e konsull, por nuk më kujtohet as edhe një rast i vetëm që një gazetar nga Kosova të ketë shkuar si gazetar në ndonjë media me nam botërore!

 Prokurorë e gjykatës

Se sistemi i drejtësisë është sistemi më i ndjeshëm i një shoqërie e kemi kuptuar edhe ne laikët e kësaj fushe, në fakt për qytetarët e Kosovës gjykatat dhe prokuroritë nuk është se janë segmente të panjohura, përkundrazi popullata shqiptare si popullatë numerikisht shumicë absolute në Kosovë ka qenë bukur shumë e “familjarizuar” me gjykatat dhe prokuroritë sidomos pas vitit 1981, vit pas të cilit kaluan nëpër dyert e prokurorive dhe gjykatave shumica e shqiptarëve të Kosovës e ku afërsisht çdo i dyti nga ta u dënua prej disa muajsh në disa dekada.

Edhe në Kosovën e pasluftës janë dënuar kriminelë, zyrtarë e personalitete që në opinion njihen si njerëz me ndikim, në këto dënime pjesë e prokurorisë dhe trupës gjyqësore kanë qenë kosovarët, madje pjesë e këtyre ekipeve prokurorësh e gjyqtarësh kanë qenë edhe individë nga sistemi i kaluar jugosllav e serb, por që të njëjtit për këto raste nuk kanë pasur as edhe një pasojë.

Ditët e fundit një prokuror dha dorëheqje. Opinioni u njoftua për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj. Asgjë e jashtëzakonshme deri në momentin kur doli informacioni se i njëjti ka dhënë dorëheqje pasi që në dorë kishte një rast të ndjeshëm e për pasojë ishte kërcënuar. Personalisht u ndjeva keq, keqardhje ndienin edhe familjarët e miqtë me të cilët komunikoj në baza ditore, për aq sa arrija t’i përcillja mediet dhe rrjetet sociale, keqardhje pati pothuajse nga të gjithë.

Keqardhja ime erdhi duke u zbehur kur dëgjova deklaratat e z. Blakaj, deklarata këto kontradiktore dhe që më asocionin në insinuata. Keqardhja ime për rastin e prokurorit Blakaj u tret krejtësisht kur kuptova se i njëjti dorëheqjen e kishte bërë me paramendim dhe për interesa krejtësisht personale dhe se i njëjti ishte rehatuar në ShBA me krejt familjen.

Është e drejtë e secilit individ ta bëjë zgjedhjen për vete dhe familjen, por të ngrehën intriga e insinuata se ka qenë i kërcënuar e i shantazhuar nga persona anonimë, besoj se nuk i bën nder askujt. E thashë më herët se në Kosovë ka pasur dënime me e pa fakte të njerëzve që në opinion njihen si njerëz me ndikim dhe askujt nga gjyqësori as edhe një qime e flokut nuk i ka munguar.

Duke përdorur thënien e të madhit Adem Demaçi “Kurrë mos thuaj kurrë”, thënie kjo e përdorur në një rast tjetër dhe në kontest krejt tjetër, nuk kisha dashur të kuptohem se po e nënvlerësoj ndjeshmërinë e rastit të prokurorit Elez Blakaj, por gjykuar sipas opinionit të përgjithshëm nuk do të kishte rrezikshmëri të lartë, përkundrazi do të kishte mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga shumë sfera në Kosovë.

Fillimisht dhe më e rëndësishmja është mbështetja institucionale e ministrit të drejtësisë, z. Abelard Tahiri, i cili tash e një vit zëshëm proklamon mbështetje në të gjitha sferat për gjyqësorin. Nuk është pa vlera edhe mbështetja morale, po edhe duke ofruar dëshmi e fakte për rastin edhe nga vetë veteranët dhe segmente të tjera të shoqërisë.

Por për njeriun që i mungon profesionalizmi, vullneti dhe përkushtimi, të kota janë mbështetjet anësore, pavarësisht të çfarë niveleve a përmasave do të ishin ato mbështetje, në rastin e prokurorit Blakaj, përjashto aspektin profesional për të cilin nuk ndihem i nivelit për ta vlerësuar, aspektet e tjera i kanë munguar, rrjedhimisht për mua është një dezertor.

Elez Blakaj më kthen në kohën e luftës, kohë kjo kur, përveç atyre që u bashkoheshin radhëve të lavdishme të UÇK-së, ka pasur edhe raste të dezertimit, të njëjtit sot kanë certifikata të veteranit, edhe z. Blakaj dezertoi, por kjo nuk do të thotë se ai nuk ka licencën e prokurorit.

  1. Blakaj lëshoi mundësinë të jetë hero i gjallë i Kosovës së pasluftës. Kishte mundësinë e artë t’i çonte prapa grilave me qindra, pse jo me mijëra mashtrues e përfitues, por z. Blakaj zgjodhi luksin. Është e drejtë e tij përzgjedhja e bërë, por nuk është korrekte të moralizojë te kolegët e të viktimizohet tek opinioni i gjerë.

Në botë ka shumë raste kur prokurorët, pavarësisht prej rrethanave, ua tregojnë vendin keqbërësve. Këto raste shumë më mirë i di z. Blakaj. Vogëlsia ime po i evidenton dy raste kur prokurorët kanë qenë profesionalë, por edhe kanë pasur gatishmëri e vullnet për ta ndihmuar vendin e tyre.

Botërisht dihet se mafia italiane është organizata kriminale me e organizuar në botë. Rrjedhimisht, është organizata kriminale më e rrezikshme, por prokurorët italianë Gjovani Falkone dhe Paolo Borselino në vitet ’80-’90 i hynë punës me profesionalizëm e përkushtim (edhe pse e dinin se do të vriten) ku brenda një kohe të shkurtër quan prapa grilave me mijëra e mijëra individë qofshin ata politikanë, policë, gjyqtarë, prokurorë, kryetarë bashkish, madje si rezultat i punës së tyre me përkushtim e profesionalizëm diku rreth një vit pas vrasjes së tyre u arrestua edhe kryemafiozi me nam botëror, Salvatore Toto Rina.

Prokurorja rumune Laura Kodruta Kovesi para pak vitesh për një kohë të shkurtër ka hetuar mbi 6 000 raste, kurse ka ngritur 1 200 aktakuza kundër personaliteteve të ndryshme, si: senator, polic, drejtor, kryetarë komunash, ministra e deri edhe ndaj kryeministrit Viktor Ponta i cili dha dorëheqje.

Si rezultat i meritës dhe punës së guximshme e profesionale të prokurores Laura Kodruta Kovesi Rumania ka ecur me hapa të sigurt drejt BE-së.

I nderuari z. Blakaj, kolegia juaj rumune kishte mundësi shkollimi e avancimi profesional në vendet perëndimore,

I nderuari z. Blakaj, kolegia juaj rumune ishte e re e bukur, sigurisht që e donte familjen dhe jetën por, mbi të gjitha, e donte profesionin dhe vendin,

I nderuari z. Blakaj, kolegia juaj rumune sigurisht nuk pretendon se ka çrrënjosur korrupsionin, mashtrimet dhe dukuritë negative në Rumani por, si rezultat i veprimeve të saj, janë hapur mbi 1 200 raste gjyqësore dhe janë konfiskuar me qindra milion euro. I nderuar z. Blakaj, kolegët tuaj italianë dhe rumunë janë prokurorë heronj në vendet e tyre, z. Elez Blakaj ju jeni një prokuror dezertor!

Qytetarë

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, jemi 1.8 milion banorë.

A ka mundësi të jemi të gjithë mashtrues, të korruptuar, dezertorë, të djallëzuar, intrigantë, dembelë…?!

Nuk e besoj, edhe sikur unë ose kushdo qoftë ta besoj, nuk ka mundësi teorike.

A ka mundësi që nga depresioni të kemi rënë në një koma kolektive?!

Nuk e besoj, edhe sikur unë ose kushdo qoftë ta besojë, nuk ka mundësi teorike.

A ka mundësi të jemi të gjithë të kënaqur me gjendjen dhe mirëqenien qytetare të këtij vendi?!

Nuk e besoj, edhe sikur unë ose kushdo qoftë ta besojë nuk ka mundësi teorike.

A ka mundësi që mashtruesit, të korruptuarit, dezertorët, intrigantët dhe dembelët të jenë numerikisht më shumë sesa qytetarët punëtorë, qytetarët besnikë, qytetarët e sinqertë e korrektë të këtij vendi?!

Nuk e besoj, edhe sikur unë ta besoja, askush nuk duhet ta besojë, thjesht duhet ta nxjerrim një duf inati nga vetja, nga qenia jonë njerëzore dhe të themi se të korruptuarit, dezertorët, intrigantët e mashtruesit janë një e keqe që na kanë dalë në rrugën, por të tillët do t’i mundim.

Populli i Kosovës ka mundur të këqija edhe më të mëdha, fatmirësisht këto të këqija kanë ardhur nga armiqtë tanë shekullorë.

Sigurisht se gjetja e motivit për t’i luftuar të këqijat që kanë ardhur nga armiqtë e jashtëm ka qenë më e lehtë, por edhe për mundjen e të keqes së brendshme që e ka kapluar shoqërinë tonë duhet gjetur motivin.

Motivin duhet ta gjejmë në vuajtjet e të parëve tanë, në gjakun e dëshmorëve, në vuajtjet që kemi përjetuar edhe vetë ne, në ardhmërinë e fëmijëve tanë, rrjedhimisht keqpërdorimi i mirësisë qytetare na obligon të reagojmë deri në pengimin, ndalimin dhe ndëshkimin e së keqes! (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar i ekonomisë, Berim Ramosaj, dhe afaristi Shaqir Palushi,…