Bleart Tolaj, ‘ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “ylli i javës”.
Këtë javë ky çmim i ka takuar futbollistit të FC Malisheva, Bleart Tolaj. Tolaj ishte më i merituari për fitoren që FC Malisheva e arriti kundër Ferizajt, me rezultat 3-1.
Përveç golit të shënuar në minutën e 77-të, ai, gjithashtu gjatë tërë ndeshjes ishte protagonisti kryesor në lojë dhe kreator i disa rasteve tjera.
“Ndihem shumë mirë për këtë vlerësim dhe dua t’i falënderoj stafin teknik dhe bashkëlojtarët e skuadrës, pa të cilët sigurisht se nuk do të mund ta fitoja këtë çmim. Shpresoj që ky të mos jetë çmimi im i fundit në këtë edicion. Synimet e Malishevës janë të qarta. Shpresojmë në rezultate të mira në vazhdim të kampionatit dhe të përfundojmë në pjesën e epërme të tabelës, dhe pse jo edhe të jemi pjesë e garave evropiane”, ka thënë Tolaj.