“Bleibende Spuren” prezantohet për herë të shtatë në Zvicër

12 shkurt 2020 | 11:26

Libri me rrëfime nga jeta e autores Basrie Murati-Sakiri, “Bleibende Spuren”, është duke tërhequr vëmendjen e lexuesve të shumtë në Zvicër. Ai është botuar më 30 prill 2019 nga njëra prej shtëpive më të njohura botuese, “Rotpunktverlag”.

Ky libër përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë në fokusin kryesor e ka kohën shtator 1988-maj 1989, ndërsa pjesa e dytë përfshinë një periudhë më të gjatë kohore, duke filluar nga qershori i 1989-s deri më 2019.

Në pjesën e parë autorja është gjimnaziste e vitit të tretë. Ajo është aktive politikisht si në organizimin e demonstratave, po ashtu edhe pjesëmarrëse në to. Shkaku i ndjekjes për t’u arrestuar detyrohet të qëndrojë fshehur për 3 muaj me radhë dhe pastaj të largohet nga Kosova. Ndërsa në pjesën e dytë, nga qershori i vitit 1989, autoren e ndeshim në Zvicër. Në rrethana krejtësisht të reja, larg familjes dhe atdheut, ajo e vazhdon e vetmuar luftën për mbijetesë të dinjitetshme dhe integrim shembullor në shoqërinë zvicerane. Që të gjitha i arrin me sukses.

Jo për përmbajtjen, por pikërisht për prezantimet e shumta që ka pasur deri më tani libri, për mënyrën e organizimit të tyre, për interesimin e publikut si dhe për reagimet e tij, për “Epokën e re” biseduam me autoren Basrie Murati-Sakiri.

“Epoka e re”: Prezantimi që do të mbahet të enjten, më 13 shkurt, në Bern, është prezantimi i shtatë i radhës i librit tuaj “Bleibende Spuren”. Çfarë mendoni që mund të jetë e veçanta e këtij prezantimi?
Basrie Sakiri-Murati: Çdo prezantim dallon nga tjetri dhe është i veçantë në vete, edhe pse në fokus është gjithherë libri “Bleibende Spuren”. Kësaj radhe jam e ftuar në kuadër të një trilogjie femrash nga anë të ndryshme të botës, si Afrika, Armenia dhe unë, si shqiptare, nga Kosova. Secila nga ne do ta prezantoj librin e vet, me motive të caktuara, sigurisht krejt të ndryshme. Unë do ta prezantoj librin tim dhe nëpërmes tij edhe një pjesë të rëndësishme të historisë sonë. Me ftesën e saj, Qendra Kulturore e lagjes së Ittigenit, një ndër komunat më të mëdha të kryeqytetit të Zvicrës, Bernit, ka treguar interesim për librin tim, me këtë edhe ndaj atdheut tim: historisë, kulturës dhe traditës së tij.

“Epoka e re”: Është në interesin e lexuesve në Kosovë të kenë një ide më të qartë përkitazi me prezantimet e librave që organizohen nga shoqëria zvicerane. A na e përshkruani ju lutem rrjedhën e një prezantimi, duke përfshirë edhe procedurat përgatitore?
Basrie Sakiri-Murati: Në thelbin e prezantimit të librit qëndron leximi paraprak i tij. Nga këtu fillon gjithçka. Në mesin e shumë lexuesve, ndonjëri nga ata qëllon të jetë punonjës në ndonjë institucion, shoqatë apo bibliotekë, dhe pasi që ata të jenë ndarë të kënaqur me përmbajtjen e librit, shfaqin idenë, marrin kontakt me mua dhe e bëjnë ftesën për ta prezantuar atë në institucionin e tyre. Ftesën, në rastet e zakonshme, e bëjnë nëpërmes shtëpisë botuese, “Rotpunktverlag”, duke u nisur nga fakti se ajo ka koordinatat e mia. Mirëpo, kam pasur raste kur jam ftuar drejtpërsëdrejti nëpërmes shkresës postale. Tërë organizimi bëhet nga personi përgjegjës i institucionit përkatës, kuptohet në bashkëpunim të ngushtë me mua. Çdo informatë rreth rrjedhjes së prezantimit e këmbejmë nëpërmes postës elektronike, e-mailit. Prezantimi bëhet në lokale të ndryshme, mirëpo zakonisht preferohen ambiente që janë të dedikuara enkas për aktivitete kulturore. Pjesëmarrja aktive e publikut përmes parashtrimit të pyetjeve, emocionet e shprehura prej tij si dhe vlerësimi që i bëhet librit, guximit dhe qëndresës time, si veprimtare politike, më bëjnë të kuptoj se libri im është i dëshiruar. Është një ndjenjë tejet gjallëruese kur vërej se sa lart i vlerësojnë përpjekjet e atëhershme të rinisë së Kosovës për liri, çlirim nga Serbia, por edhe angazhimet e mia të kohës për të drejtat dhe emancipimin e femrës. Janë këta faktorë të cilët jo vetëm që më motivojnë, por edhe më ringjallin ndjenja të papërshkruara për atë periudhë, sa sakrifikuese e të dhimbshme, aq edhe të dashur e të lavdishme.

“Epoka e re”: Nuk ka recensione nga recensentë të ndryshëm që paraqiten në prezantime të tilla, siç praktikohet kryesisht në Kosovë?
Basrie Sakiri-Murati: Vetë mënyra e ftesës tregon se fjala është për prezantimin e librit dhe bisedën që do të bëhet me autoren. Kështu që libri e autori janë në qendër të vëmendjes. Prezantimi udhëhiqet nga një moderator/e, ndërsa unë prezantoj librin tim, duke filluar me sqarimin e motivimit të shkrimit si dhe shpjegimit të arsyes pse mora hapin ta publikoj një libër të tillë, siç është “Bleibende Spuren” në këtë rast. Herë pas here lexoj ndonjë fragment të përzgjedhur nga libri, që e bënë atmosferën të jetë më artistike. Pastaj në pjesën e fundit vazhdojmë me bashkëbisedim, me ç’rast publiku me kureshtje të madhe parashtron pyetje rreth ngjarjeve dhe periudhës së përshkruar në libër. Biseda zhvillohet pothuaj në një atmosferë familjare, duke pasur parasysh faktin se në mesin e publikut ka gjithnjë nga ata të cilët e kanë lexuar librin. Në fund fare, pjesëmarrësit e blejnë librin, kërkojnë nënshkrimin dhe shfaqin dëshirën për një fotografi të përbashkët me autoren në shenjë kujtimi. Recesionet klasike, siç praktikohen në Kosovë, nuk preferohen në shoqërinë zvicerane. Kam mendimin se pas një praktike të tillë qëndron interesimi i tyre për ta dëgjuar zërin e autorit dhe për t’u njohur me idetë dhe pikëpamjet e tij.

“Epoka e re”: Cili ka qenë prezantimi i fundit dhe çfarë ju ka bërë përshtypje apo pëlqyer më së shumti?
Basrie Sakiri-Murati: Prezantimin e fundit e kam pasur në bibliotekën e Arkivit Social të Zvicrës, në Cyrih. Ishte bashkëpunimi tejet profesional i moderatores, njëherësh drejtoreshës së bibliotekës, zonjës Susanne Brügger, dhe vëmendja e publikut kureshtar, që në shumë çaste më bënë ta ndiej veten sikur isha duke i jetuar ato ngjarje, fragmente nga të cilat lexoja. Ata me modestinë e tyre tregonin vëmendje dhe një kujdes admirues jo vetëm ndaj meje dhe ngjarjeve të përshkruara në libër, por edhe ndaj historisë sonë të afërt.
M’u bë zemra mal kur nga mesi i publikut u lajmëruan edhe të rinj shqiptarë, shumica e të cilëve ishin të lindur e rritur në Zvicër, por me pjesëmarrjen e tyre aktive tregonin interesim të madh për ngjarjet e asaj kohe në Kosovë.

“Epoka e re”: Cilat janë prezantimet e radhës që keni planifikuar t’i keni në të ardhmen?
Basrie Sakiri-Murati: Prezantimi tjetër, i teti me radhë, do të mbahet më datën 17 shkurt 2020. Ai është organizuar nga Shkolla Rudolf Steiner, adresa e së cilës është: Ittingenstrasse 31, 3063 Ittingen. Sipas interesimit të shkollës, librin do ta prezantoj për nxënësit e klasës së dhjetë. Nëse në ndërkohë nuk do të ketë ndonjë organizim tjetër, prezantimi i nëntë është planifikuar për datën 5 qershor 2020. Kësaj radhe librin tim do ta prezantoj për publikun e St. Galles në bibliotekën kryesore të këtij qyteti, Bibliothek Hauptpost. Adresa e saj është: Gutenbergstrasse 2, 9001 St. Gallen.

“Epoka e re”: Përveç në prezantime, ku mund ta gjejnë të interesuarit tjetërkund librin tuaj?
Basrie Sakiri-Murati: Librin tim të interesuarit mund ta gjejnë te Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag”, në të gjitha libraritë e Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë si dhe në bibliotekat e shumta të këtyre shteteve.

(Faton DËRMAKU)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marta Lopez Alamo është një modeluese në ngritje në Spanjë,…