Blendi Fevziu: Banditëve politik në Shqipëri u duhet dhënë fund
Blendi Fevziu ishte i ftuari i parë në Forumet UET për vitin e ri akademik, ku në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë foli mbi çështjet më të nxehta të aktualitetit politik dhe romanin e tij që pritet të dalë në fund të shtatorit. Duke folur për zgjedhjet, Fevziu theksoi se u duhet dhënë fund banditëve në politikë dhe Shqipëria nuk mund të jetë e stabilizuar nëse zgjedhjet nuk janë të gjithëpranuara.
Në qytet dhe në rrethe të ngushta letrare po flitet shumë se ka një roman të ri tuajin, që do dalë së shpejti. Mund të na flisni sadopak, për të na shuar kuriozitetin, që të na bëjë ta lexojmë këtë roman tuajin?
Faleminderit për ftesën, faleminderit edhe që ishte forumi i parë për këtë vit dhe e nisët me mua. Bëhen 10 vite, me sa mbaj mend unë, ne kemi filluar bashkëpunimin në shtator, ku është bërë prezantimi i librit “Jeta ime, intervistë me Blendi Fevziun”, të cilin unë ende sot e konsideroj si një nga librat me një lloj ndikimi, nga ata libra që mbeten në bibliotekën e gjithsecilit dhe që shërbejnë si mundësi reference.
Gjithkush që do punojë me historinë e Shqipërisë, me personazhe të caktuara të saj, ka mundësi që t’i referohet. Një pjesë e atyre personazheve, unë e kam thënë, nuk jetojnë më, ndoshta pjesa më e madhe e atyre që përfshihen në atë libër janë rralluar akoma më shumë këto 10 vjet që nga bashkëpunimi i parë. Po, ka një libër të ri, për ta shpjeguar këtu e kam të vështirë. Gjithsesi do ta them siç e mendoj. Është ai që do ta quaja libri i jetës sime. Para disa ditësh, unë mbusha 50 vjeç dhe në një moment isha duke menduar që çfarë bilanci bën njeriu me jetën e tij. Ishte pasi e kisha mbaruar këtë libër dhe kisha një qetësi të plotë. Duket sikur njeriu ka disa detyrime ose disa borxhe që duhet t’i kthejë në jetën e tij. Ka shumë njerëz që nuk i kthejnë gjithë jetën, ka njerëz të tjerë që mundohen t’i kthejnë deri diku. Mua më dukej sikur ky libër ishte, si të thuash, borxhi më i madh që unë kisha, që duhet ta ktheja mbrapsht. Më pas njeriu bën jetën e tij, vazhdon rrit fëmijët, bën karrierë, ecën përpara, por në njëfarë mënyre, kjo që unë bëra, ishte një borxh që ia kisha fëmijërisë.
Çfarë është në fakt?
Është një libër, që, si shumica nga ju, që mund të jenë rritur me gjyshen, stërgjyshen, e dinë se sa shumë kanë ndikuar në jetën e tyre. Unë jam rritur nga stërgjyshja ime që kishte një motër dhe një kushërirë me të cilën po ashtu ishin të lidhur me një krushqi. Është historia tipike, nuk ka rëndësi është stërgjyshja ime apo e dikujt tjetër, është historia tipike se si njeriu vjen dhe shpeshherë ikën nga kjo jetë. Kur ajo lindi, ishte vajza e një prej njerëzve më të fuqishëm dhe të pasur të Tiranës, me një nënë po aq të pasur po ashtu, një fëmijë që dukej sikur kishte të gjithë atë që quhej fatin e madh në jetë, kishte lindur në një familje të pasur e të fuqishme. Më pas, pak nga pak, çdo ditë që kalonte, fillonte dhe bjerrej.
U bjerr fuqia politike e familjes, për arsye se Tirana u bë kryeqytet dhe Toptanasit që dominonin qytetin, filluan ta humbnin fuqinë përballë qeverisë qendrore, pastaj filloi të bjerrej fuqia politike e plotë, sepse Zogu anashkaloi dhe la mënjanë familjen e saj. Pastaj erdhi komunizmi, që çfarë kishte lënë Zogu në pjesën politike, i griu dhe në pjesën ekonomike. Jeta e saj ishte shumë dramatike, sepse u martua shumë e re, por burri i vdiq kur ishte 25 vjeç dhe duhet të rriste dy fëmijë. Unë u gjenda në jetën e saj në vitet e fundit të jetës, kur siç them unë, ishte zhveshur nga çdo gjë, nga pushteti dhe ambiciet e mëdha të familjes, ishte zhveshur nga pasuria që ia kishte marrë komunizmi dhe nga persekutimi, sepse ishte fundi dhe komunizmi i kishte harruar tanimë, kishte filluar të merrej me personazhe të tjera. Dhe pikërisht në fund të jetës së saj, tek të 70- at, filloi të jetonte.
Pikërisht ky është një lloj shikimi i fateve njerëzore, unë e kam marrë bashkë me disa personazhe të tjera, midis tyre është një personazh që mua gjithmonë më ka nxitur fëmijërinë, i jashtëzakonshëm, që ishte vëllai i stërgjyshes sime që jetonte jashtë. Ai vinte gjithmonë në formën e një letre, që kishte një pullë spanjolle, dhe që ishte një fat i madh, sepse unë i shkulja pullën për koleksionin e pullave të postës. Kam bërë një research të plotë të gjërave, ky nuk është roman, nuk është libër me kujtime, është një gjë që kisha dëshirë ta shkruaja. Kur nisa ta shkruaja, nuk e dija si do dilte, nuk kisha subjekt në kokë.
E nisa, më kujtohet si tani, sapo u ngrit avioni nga aeroporti i San Franciskos, isha në Ipad, ishte natë, do ulesha në Honolulu, për 6 orë kisha shkruar 2 kapitujt e parë. Është një gjë që rrjedh dhe njeriu e kupton kur një gjë rrjedh. Thellë-thellë e kisha brenda vetes dhe nuk kam ndaluar. E kam shkruar për dy muaj rresht, e lash më pas që të kisha një distancë kohore të nevojshme, ia dhashë pak njerëzve të cilëve u marr një mendim.
Është një libër që mund ta quaj librin e jetës sime, pastaj mund t’i vë çdolloj titulli. Mund të ketë libra më të mirë se ai, jam i sigurt, të shkruar nga unë, por vet unë e konsideroj librin tim më të mirë. Besoj që do të botohet brenda fundit të shtatorit.