Blendi Fevziu për Hashim Thaçin: Braktisi kafenetë, shkoi në luftë për t’u kthyer e për të shpallur pavarësinë
Gazetari i njohur shqiptar, Blendi Fevziu, së fundmi ka botuar librin e tij “Takimet e mia me…”, ku tregon për njohjen e tij me personalitetet e ndryshme të Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë libër, ndër të tjera, Fevziu tregon për njohjet e tij me Hashim Thaçin, ku e vlerëson lart kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Nuk e di nëse fati e ka sjellë gjithnjë në momentin dhe vendin e duhur apo Hashim Thaçi e ka kërkuar vetë fatin e tij“, kështu nis përshkrimi i gazetarit shqiptar për Thaçin.
Sipas Blendi Fevziut, Hashim Thaçit i kishte dhënë të drejtë historia, shkruan Demokracia.com.
“Në shkurt 2008, ndërsa nga foltorja e parlamentit lexonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ideja e parë që më erdhi ndër mend ishte se historia i kishte dhënë të drejtë. Të drejtë në atë sens që po i rezervonte atij dhe jo dikujt tjetër, të drejtën për të formësuar togfjalëshin historik: “E shpall Kosovën, vend të pavarur dhe demokratik“, tregon në përshkrimin e tij, Blendi Fevziu.
Ai vazhdon më tutje rrëfimin e tij.
“A mund të ndodhte ndryshe? pyeta veten dhe sinqerisht nuk dija se cila ishte përgjigjja më e saktë për këtë. Ende adoleshent e kishte kuptuar se lufta dhe vetëm lufta do të ishte shpëtimi për vendin e tij. Kishte jetuar për vite me radhë në ilegalitet si një donkishot modern, kishte besuar të pabesueshmen, fitoren e një lufte kundër Serbisë dhe Kosovën e lirë. Pa mbushur të tridhjetat ishte bërë shef politik i UÇK-së dhe partneri më i rëndësishëm në terren në luftën më të madhe të Perëndimit të bashkuar kundër Millosheviçit; kishte zënë faqet e para të gazetave dhe ekranet e televizioneve; 29 vjeç ishte bërë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe një ditë kishte hyrë fitimtar së bashku me aleatët amerikanë në Prishtinën e lirë“.
Fevziu, duke treguar disa momente që ai i quan historike, ka përshkruar edhe shpalljen e pavarësisë nga Hashim Thaçi.
“Jeta është shpesh tekanjoze, fati vërtitet shpesh i verbër, por nuk ka asnjë dyshim se asgjë e madhe dhe e rëndësishme nuk ndodh rastësisht. Sa herë mendoj për Thaçin, kam bindjen se kjo është e vërtetë. Se pavarësisht komenteve, fjalëve, historive, ai e kishte shenjuar të ardhmen e tij atë moment të largët të vitit 1991 apo 1992, kur ende 20-vjeçar, një student i pasionuar dhe anonim, kishte braktisur forumet e kafeneve ku bëhej politika e Prishtinës, kishte lënë pas baballarët e kombit që diskutonin për Kosovën“, shkruan Fevziu.
Në fund të librit, ai ka treguar sesi Thaçi i kishte thënë Dukagjin Goranit frazën profetike: “Unë po iki. Liria nuk vjen pa luftë, ju qëndroni në Prishtinë, po këtu ka vetëm fjalë“. Dhe kishte ikur, qe zhdukur për shumë vite, ndoshta pa e besuar edhe ai vetë se një ditë do të kthehej me atë që Kosova e kishte ëndërruar plot 100 vjet, PAVARËSINË!