Blendi Fevziu sjell historinë interesante të shqiptarit që takoi në Belfast
La mënjanë makinën e vogël mbi të cilën po pastronte dyshemenë e aeroportit të Belfastit në atë orë të vonë dhe më ftoi për kafe. U mundova ta refuzoja me xhentilese, duke e falënderuar dhe kur insistimi nuk rreshti i tregova që zona e kafeneve ishte mbyllur tashme. Mos ki merak më tha, bëri përpara, hapi shiritin që ndalonte hyrjen e kafeneve, ndezi ekspresin nën hutimin tim total.
⁃ I kam unë me qira këto këtu më tha, po hajde ulu.
⁃ Ti po laje dyshemenë i thashë, ç ‘punë ke me lokalet.
⁃ Jam pronari. Dyshemenë e bej si punë shtesë. Sot s’kisha punëtor dhe po e bej vetë. Sapo mbylla lokalet.
U zgjat mbi banak, mori një cope kek dhe ma afroi ndërsa ngrohej ekspresi. Këtë e bën një grua nga Vlora me tha. E bën si qëmoti. Unë ja marr asaj dhe i shes.
Historia e tij ishte thuajse e pabesueshme. Kishte ikur nga Sevasteri i Vlores si shumë shqiptarë të tjerë në vitet ‘90 – ta. Kishte kaluar malin për ne Greqi ku kishte punuar ca vite. Ishim shume vëllezër me tha dhe shume të varfër. Prisja që vëllai të hiqte këpucët që t’i vishja unë. Pas ca vitesh në Greqi kishte marre rrugën për Angli. Nen kamion nga Franca në Britani. Kishte punuar në Londër dhe ku djali i vetëm po i rritej ishte transferuar në Irlandën e Veriut. kishte bërë çdo lloj pune dhe tani kishte një stabilitet financiar për tu admiruar. Por punonte serish. Ku të mundte. Me pasionin që mund të punojë vetëm një njeri qe e do punën. Kur kisha prindërit gjallë më tha, shkoja në Shqipëri me makinë. Ishte larg, por e mbushja me dhurata për plakat dhe pleqtë e fshatit. Tani vinte më rralle. Djali po i behej grafik dizajner dhe ishte krenar për të.
⁃ Ne nuk bëmë shkollë, tha, nuk patëm mundësi. Por djali po!
Më përcolli deri tek avioni. Me mahniti historia e tij. Besimi se me punë mund të rimëkëmbesh. Ishte kaq e ngjashme me historitë e plot emigranteve të tjerë. Qe ikën nga mjerimi i viteve ’90-ta, që besuan tek ëndrra e lirisë dhe ajo jua ktheu serish mbrapsht.