Blerim Latifi e quan gënjeshtër lajmin se mbesa e tij është punësuar në Kuvend. Ja reagimi i tij
Blerim Latifi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ka reaguar ndaj shkrimeve rreth një lajmi se ai ka punësuar mbesën e tij në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një reagimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Latifi ka shkruar se ky është një lajm i rremë.
“Është për keqardhje në çfarë gjendje kanë ardhur një pjesë e mediave tek ne, duke botuar lajme pa marrë as mundimin minimal për t’i verifikuar ato”, ka shkruar Latifi.
Reagimi i plotë i tij:
Një gënjeshtër absolute
Të përballur me reagimin plotësisht të arsyeshëm të publikut, ata që janë duke bërë krimin me punësimet e paligjshme në PTK, në mënyrë që të relativizojnë maskaradën e tyre kanë filluar të shpifin kundër të tjerëve. Duan të relativizojnë këtë maskaradë me idenë se të gjithë janë njësoj, prandaj askush nuk mund të akuzoj askënd. Portalet e afërta me ta, kanë marrë përsipër të kryejnë këtë punë të ndyrë shpifjesh. Kanë publikuar një lajm të rremë se gjoja unë kam punësuar mbesën time në Kuvendin e Kosovës. Fjala është për Bukurie Rukollin. Kjo është një gënjeshtër absolute. E theksoj, absolute. Unë kam vetëm një motër, e cila jeton në Drenas. Ajo ka dy vajza. Asnjëra prej tyre nuk është e punësuar, edhe pse të dyja janë me fakultet. Është për keqardhje në çfarë gjendje kanë ardhur një pjesë e mediave tek ne, duke botuar lajme pa marrë as mundimin minimal për t’i verifikuar ato. Këto media ende janë në nivelin e para 100 viteve, kur Mit’hat Frashëri i përshkruante gazetat si pasqyrë ditore e kafeneve.