Blerim Latifi i reagon Prindon Sadriut: Gjuha e zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve, e rrezikshme
Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, e ka quajtur të rrezikshme gjuhën e përdorur të Zotëriut të Parë Prindon Sadriu ndaj mediave, duke i cilësuar gazetarët si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Latifi ka shkruar se s’duhet injoruar faktin që autoritarizmi fillon nga gjuha e kriminalizimit të zërave kritikë.
“Kur një zyrtarë i lartë i shtetit mediat dhe gazetarët i kualifikon si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, atëherë, logjikisht dhe juridikisht, i bie që prokuroria dhe policia të shfaqen në ndërtesat e mediave dhe në banesat private të gazetarëve për t’i dërguar të gjithë në burg”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shkruar se kjo gjuhë e zyrtarëve shtetërorë ndaj gazetarëve dhe mosdurimi i tyre agresiv ndaj kritikës publike janë shumë të rrezikshme.
“Sot ne jemi larg situatës me të cilën përballen gazetarët në regjimet të tilla si ai i Putinit e i Erdoganit, por nuk duhet injoruar fakti se autoritarizmi fillon nga gjuha e kriminalizimit të zërave kritikë dhe mbjellja e frikës. Sepse, siç argumenton bindshëm Monteskje, diktaturat lindin dhe ushqehen nga frika. Kosova sot qëndron më mirë se të gjithë të tjerët në rajon në indeksin e lirisë së mediave dhe secili nga ne, që beson në demokraci, duhet të angazhohemi në ruajtjen e këtij avantazhi”.
“Duhet ta fusim njëherë e mirë në kokë faktin se ky vend nuk ka luftuar vetëm për ta hequr qafe sundimin serb, por edhe për të mos lejuar që në mesin tonë, nga vetë veprimet tona, të lindin trajta tjera të sundimit. Dhe për fund një këshillë, të cilën e kam mësuar nga përvoja ime e shkurtër në institucionet e shtetit: ata që qeverisin përfitimet më të mëdha mund t’i kenë nga zërat kritikë dhe dëmet më të mëdha nga puthadorët dhe lajkatarët që u vijnë rrotull! Qofshin ata edhe burra e gra të atyre që qeverisin”, ka shkruar Latifi.