Blerim Latifi: Krahasimi i Edi Ramës me Enver Hoxhën, analizë e mjerë politike

20 nëntor 2019 | 14:12

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Blerim Latifi, ka reaguar ndaj krahasimeve që janë duke iu bërë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me ish-diktatorin Enver Hoxha në raport me Serbinë dhe ish-Jugosllavinë.

Ai ka thënë se krahasime të tilla janë të pasakta dhe analiza të mjera politike.

“Kjo ndjenja se secili politikan shqiptar që ulet në tavolinë me një politikan të Beogradit, përfundon si argat i tij, është mbetje e një kohe kur vuanim nga kompleksi i inferioritetit ndaj Serbisë e Jugosllavisë, për shkak se ishim nën sundimin e tyre. Megjithatë, kohët kanë ndryshuar shumë. Shqipëria e sotme dallon si dita me natën nga Shqipëria e kohës së Zogut dhe ajo e pas Luftës së Dytë Botërore”.

“Zogu i servilosej Pashiqit, sepse përmes tij donte të kthehej në pushtet në Tiranë. Enver Hoxha i servilosej Titos sepse pushteti i varej prej Titos, derisa ky nuk u prish me Stalinin. Sot Serbia nuk e përcakton dinamikën e pushtetit në Tiranë, prandaj krahasimet që i bëjnë Edi Ramës me Enverin, apo dikë tjetër, janë krejtësisht të pasakta dhe nuk shprehin asgjë më shumë se analiza të mjera politike”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çaji shqiptar i malit përftohet nga gjethet e bimës së…