Blerim Latifi: Krimet kundër shtetit të Kosovës ndodhin në tri kategori zyrtarësh
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Blerim Latifi, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka përmendur faktorët të cilat janë duke shkatërruar procesin elektoral dhe tërë shtetin.
Sipas tij, krimet kundër shtetit të Kosovës ndodhin në tri kategori zyrtarësh: tek komisionerët e zgjedhjeve, tek shefat e prokurimit dhe tek zyrtarët e policisë së krimeve ekonomike.
“Dy gjëra duhet të mos harrohen: E para, nuk janë të gjithë zyrtarët e këtyre kategorive të kriminalizuar, shumë e shumë prej tyre janë njerëz që punojnë aty me nderë e profesionalizëm. E dyta, këto nuk janë kategoritë e vetme që ushqejnë krimin brenda institucioneve të shtetit, por këto janë tri hallkat që mirëmbajnë lidhjet e politikës me krimin”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë i tij:
Krimet kundër shtetit të Kosovës ndodhin në tri kategori zyrtarësh: tek komisionerët e zgjedhjeve, të cilët e korruptojnë procesin elektoral dhe kështu e deformojnë parimin themelor të demokracisë, tek shefat e prokurimit, të cilët mundësojnë zhvatjen e shtetit, përmes orkestrimit të tenderëve publikë dhe tek zyrtarët e policisë së krimeve ekonomike, të cilët, në vend se ta luftojnë krimin, bashkëpunojnë me krimin, për të marrë një pjesë të përfitimeve të tij, përmes metodës së shantazhimit me dosjet e hetimeve. Dy gjëra duhet të mos harrohen: E para, nuk janë të gjithë zyrtarët e këtyre kategorive të kriminalizuar, shumë e shumë prej tyre janë njerëz që punojnë aty me nderë e profesionalizëm. E dyta, këto nuk janë kategoritë e vetme që ushqejnë krimin brenda institucioneve të shtetit, por këto janë tri hallkat që mirëmbajnë lidhjet e politikës me krimin. Kush arrin të godas krimin në këto tri hallka, meriton të quhet shpëtimtar i shtetit të Kosovës nga skenari i dështimit të tij.