Blerim Latifi: Mos e shitni votën
Kandidati i PDK-së për deputet, Blerim Latifi, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” u ka bërë thirrje qytetarëve që mos ta shesin votën më 6 tetor.
Ai ka thënë se në takime me qytetarë ka marrë informata se si janë nën presionin e atyre që u ofrojnë lëmosha në këmbim të votës.
“Shumë prej jush më kanë shkruar, e shumë të tjerë, në takime me ta, po më tregojnë se si janë nën presionin e atyre që u ofrojnë lëmosha në këmbim të votës! Mos e shitni votën, sepse ai që ua blen votën, në atë moment ju harron, nuk ndjen asnjë përgjegjësi ndaj jush, e për llogaridhënie as që bëhet fjalë. Lëmosha në këmbim të votës është ofendim për ju dhe familjet tuaja”, ka shkruar Latifi.
“Ata që u japin lëmoshë në këmbim të votës kanë interes që t’u mbajnë gjithmonë në mjerim ekonomik e social, në mënyrë që të munden përsëri t’ua blejnë votën, e rrjedhimisht të vazhdojnë ta përdorin pushtetin për qëllimet e tyre korruptive. Unë jam në politikë për një shtet ku njerëzit të mos kenë nevojë për lëmoshë. Unë jam në politikë për një shtet që krijon kushte të mirëqenies e begatisë për secilin qytetar”, ka shkruar kandidati për deputet Blerim Latifi.
/Epoka e re/