Blerim Latifi: Mos i sulmoni mjekët
Për vdekjet e fundit nga Covid-19 në Kosovë, ka reaguar profesori universitar, Blerim Latifi, i cili ka bërë thirrje që të mos sulmohen mjekët, pasi sipas tij faji është tek politikanët të cilët në 20 vjet të fundit nuk e kanë trajtuar fare sektorin e shëndetësisë.
Latifi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se qeveria Hoti duket se nuk është në gjëndje ta përballojë kaosin.
“Me pak fjalë ne jemi para një dështimi tjetër të madh”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë i tij:
Mos i sulmoni mjekët! Ata nuk kanë faj. Faj kanë politikanët, të cilët tash e 20 vjet asnjëherë se kanë marrë seriozisht sistemin shëndetësor, duke e lënë në një gjëndje të mjerueshme, me kapacitete minimale për të përballuar kriza të tilla si kjo e covid-19. E vetmja rrugë e përballjes së suksesshme me pandeminë ka qenë ajo e masave të vetëkujdesit të popullatës. Ne nuk e bëmë këtë. Me t’u lehtësuar masat, iu rikthyem rutinës së para pandemisë, ndërsa në media dhe në publik filluan të dominojnë budalltë e teorive konspirative që e shpallnin pandeminë si një mashtrim të madh. Tash situata pandemike ka dalë jashtë kontrollit. Qeveria Hoti duket se nuk është në gjëndje ta përballoj kaosin. Askush nuk i trembet vendimeve të saj. Ministri i Shëndetësisë vepron në një terra incognita për të. Thjesht ai nuk ka haber për fushën të cilën e drejton. Ideja për të rikthyer karantinimin e shoqërisë nuk ka për të funksionuar më. Me pak fjalë ne jemi para një dështimi tjetër të madh.
(Q.R / Epoka e re)