Blerim Latifi: Nuk jam pjesë e asnjë forumi në PDK
Profesori në Universitetin e Prishtinës dhe ish-kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Blerim Latifi, ka bërë me dije se nuk është pjesë e asnjë forumi të kësaj partie e cila drejtohet nga Kadri Veseli.
Latifi i cili ka qenë këshilltar i Veselit sa ishte kryetar i Kuvendit, ka thënë se qëndrimet e tij publike nuk reflektojnë pikëpamjet e PDK-së.
“Sqarim për mediet. Mandati i Kadri Veselit si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka përfunduar. Rrjedhimisht, edhe emërimi im si këshilltar politik i tij. Unë nuk jam pjesë e asnjë forumi në PDK, as anëtar kryesie, as anëtar i Këshillit Drejtues, as anëtar i ndonjë dege apo nëndege. Rrjedhimisht qëndrimet e mia publike nuk reflektojnë pikëpamjet e PDK-së, në asnjë formë. Prandaj, cilësimi i qëndrimeve të mia si qëndrime të PDK-së është krejtësisht i pasaktë. Është dezinformim. Personalisht vazhdoj të kem konsideratë të lartë për kryetarin e PDK-së dhe këshillat e mia për të mbesin vetëm në nivelin e raportit miqësor dhe joformal. Unë ndihem mirë dhe krenar me bashkëpunimin pesë vjeçar me të. Kjo është e tëra!”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/