Blerim Latifi përplaset me anëtarët e PDK-së: Askush s’ka të drejtë t’i japë tokë Manastirit të Deçanit
Profesori universitar, Blerim Latifi është përplasur me dy anëtarët e Kryesisë së PDK-së, Vlora Çitaku dhe Bernard Nikaj, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.
Gjyakta Kushtetuese ka disa vite që i ka dhënë të drejtë Manastirit të Deçanit për të marrë dhjetëra hektarë tokë rreth objektit fetar. Ky vendim nuk është respektuar ende nga asnjë qeveri, të cilat i kanë bërë ballë presionit ndërkombëtar për të mos zbatuar këtë vendim.
Latifi thotë se ky vendim është tërësisht i padrejtë për Kosovën dhe u ka thënë anëtarëve të PDK-së në studio që për këtë çështje duhet të ketë konsensus nacional.
“Është vendim tërësisht i padrejtë. Është johistorik, jo i drejtë dhe nuk duhet të zbatohet”, tha ai në emisionin Pressing në T7.
Ai ka thënë se një vendim i tillë dhe zbatimi i tij do të krijonin precedent që në të ardhmen të ketë përsëri vendime të njëjta.
“Cka nëse të ardhmen Gjykata vendos se Kisha e Arkanit në oborrin e Universitetit të Prishtinës është legjitime. Kjo do të krijonte ekstraterritorialitet midis kryeqytetit. Dhe tani e ka edhe precedentin që i jep të drejtë. Askush s’ka të drejtë t’i jap tokë Manastirit të Deçanit ”, shtoi ai.