Blerim Peja dhe Ibrahim Shabi do shkojnë nga Italia në Hagë me biçikleta, për t’i takuar çlirimtarët
Me këto biçikleta synojnë t’i kalojnë hiç më pak se 2 mijë e 60 kilometra.
Gjithë këtë rrugëtim Blerim Peja nga Prishtina e Ibrahim Shabi që jeton në Norvegji, synojnë ta realizojnë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim nga Hagë.
Nga Kosova në Shqipëri dhe më pas nga Bari i Italisë do të shkojnë në Hagë për t’i takuar ish-krerët e UÇK-së.
“Është e mundimshme, por mendoj se ata e meritojnë një sadisfaksion dhe me ju tregu që ata ende kanë mbështetës këtu”, ka thënë Peja për T7.
Tutje ai ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Haga nëse do u lejohet vizita, por udhëtimi i tyre me këtë mesazh nuk do të ndalet.
“Ne kemi bërë kërkesën dhe po presim konfirmimin. Ne do të shkojmë morëm konfirmim ose s’morëm”, u shpreh Peja.
Ndërkaq mërgimtari Ibrahim Shabi ka thënë se kjo është më e pakta që mund të bëjnë për çlirimtarët.
Ky udhëtim do të zgjasë 17 deri në 20 ditë.