Blerim Reka mbledh 11 000 nënshkrime, tani zyrtarisht është kandidat për president
Diplomati Blerim Reka tashmë edhe zyrtarisht është kandidat për president të Maqedonisë së Veriut.
Kandidatura e tij është zyrtarizuar pas mbledhjes së 11 000 nënshkrimeve.
Shtabi qendror i kandidatit për president ka falënderuar strukturat e partive politike për kontributin dhe mbështetjen e dhënë në procesin e mbledhjes së nënshkrimeve.
“Ju njoftojmë se kandidati i pavarur shqiptar prof. dr. Blerim Reka tashmë edhe zyrtarisht është kandidat për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Duhet theksuar se në më pak se 15 orë, z. Reka e kanë mbështetur mijëra qytetarë, që konfirmuan përmes mbi 11 000 nënshkrimeve, mbështetjen e fuqishme të kandidaturës së tij. Falënderojmë strukturat e partive politike, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa për kontributin dhe mbështetjen e dhënë në procesin e mbledhjeve të nënshkrimeve. Po ashtu falënderojmë të gjithë qytetarët për mbështetjen: guximin e gjejmë në përkushtimin tuaj”, është thënë në njoftimin e publikuar në “Facebook” nga shtabi qendror i kandidatit për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka.
/Epoka e re/