Blerim Reka, votuesve të vet: Më 5 maj dilni e votoni për shpëtimin e procesit euroatlantik
Ish-kandidati shqiptar për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, u ka bërë thirrje votuesve të vet që më 5 maj (në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale) të dalin sa më masivisht në vendvotime dhe ta shpëtojnë procesin euroatlantik.
“Edhe sot po e përsëris atë që e thash në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregtinë me vota. As unë, e askush tjetër nuk jemi shitblerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele”, ka thënë Reka.
Postimi i plotë i tij:
Të nderuar qytetare dhe qytetarë,
Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve, më lejoni që të ju falënderoj edhe një herë për votat tuaja në rrethin e parë.
Rreth 80,000 vota, për vetëm tri javë në politikë; nuk mund të injorohen, sidomos, që ato u dhanë në zgjedhjet presidenciale me daljen më të ulët (42% në total, nga 20% në komunat shqiptare) dhe me pavlefshmërinë më të lartë të flet-votimeve, (rreth 33.000 sish!). Këto vota tuaja, mbështetën konceptin tim “Një Republikë për të gjithë me ligjin mbi të gjithë”: si udha e vetme për NATO dhe BE.
Edhe sot po e përsëris atë që e thash në fillim të fushatës sime, se nuk do lejoj tregtinë me vota. As unë, e askush tjetër nuk jemi shitblerës të votave tuaja, prandaj as nuk kemi të drejtë të ndikojmë në atë se për kë duhet të votoni këtë të diele.
Tregtia me votat tuaja është kundër konceptit tim për Republikën, kundër sundimit të ligjit si shtyllë e saj dhe kundër demokracisë dhe lirisë së qytetarëve. Pse atëherë u dashka të mbahen zgjedhjet, nëse liderët në rrethin e dytë sillen si pronar të votave tuaja?
Prandaj, duke i qëndruar besnik këtij parimi, ju siguroj që nuk ka pas as takime, as komunikim, as me kundërkandidatët e as me liderët partiak të tyre, lidhur me thirrjen e mundshme të qytetarëve për të votuar këtë ose atë kandidat presidencial.
Unë mund vetëm të ju apeloj, që më 5 maj, të dilni sa më masivisht në vend-votime dhe ta shpëtoni procesin Euro- Atlantik.