Blerja e teksteve shkollore, MAShTI po shqyrton mundësinë që paratë të barten në llogaritë e prindërve
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një konferencë për medie të hënë ka folur për çështjen e teksteve shkollore, të cilat ende nuk janë shpërndarë.
Ajo ka thënë se janë duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore të kalojë në llogaritë e prindërve.
“Sivjet jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MAShTI-t të bëhet në llogaritë e prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt brenda dy-tri ditëve do të vendoset për këtë rrugë që po e shqyrtojmë. Paralelisht kemi përgatitur edhe platformën për aplikim në platformën e-Kosova me të gjitha detajet tjera dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që në njërën anë të kemi tekste cilësore për fëmijët dhe kujdes për buxhetin e shtetit”, ka thënë ajo.
Nagavci ka shtuar se furnizimi i nxënësve me tekste shkollore për vite me radhë ka qenë mjaft sfidues, për shkak të shumë sfidave. Ajo ka deklaruar se procesi i rishikimit të teksteve shkollore ka nisur me rekomandime të Institutit Pedagogjik dhe të Avokatit të Popullit.
Në anën tjetër zëvendësministri i MAShTI-t, Taulant Kelmendi, u shpreh se edhe këtë vit kanë zgjedhur ekipin negociues nga MAShTI, i cili brenda afateve ligjore ka negociuar për çmimin e teksteve shkollore veç e veç për secilin libër.
“Pas shumë tentimeve për të zbritur çmimet në nivelin e përballueshëm për buxhetin e ndarë shtëpitë botuese nuk kanë pasur mirëkuptimin. Së fundmi kanë dërguar letra se çmimet e tyre janë të panegociueshme. Kjo situatë dhe kjo gjendje e krijuar është e papërballueshme për MAShTI-n dhe buxhetin e shtetit. Ne nuk mund të kalojmë asnjë skemë të keqshfrytëzimit të taksave të qytetarëve tanë”, ka thënë Kelmendi.