Blerta Deliu: Kryeministër, faleminderit për nderimet për Ilaz Kodrën, por ju e larguat politikisht nga puna bashkëshorten e tij
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu Kodra, njëherësh pjesë e familjes së heroit të kombit Ilaz Kodra, ka reaguar sot pas vizitës së kryeministrit Albin Kurti tek shtatorja e Ilaz Kodrës, disa muaj pas Kurti largoi nga puna bashkëshorten e heroit Ilaz Kodra.
Deklarata e plotë e deputetes Blerta Deliu-Kodra:
Si familjarë të komandantit Ilaz Kodra, 30 prilli për ne është ditë përkujtimi dhe krenarie. I tillë ishte edhe sot. Në emër të familjes, i falënderoj të gjithë të afërmit dhe miqtë që na qëndruan pranë dhe ndan me ne dhimbjen dhe kujtimet për të.
Për nderimet e sotme, po ashtu, e falënderoj edhe kryeministrin Kurti. Megjithatë, e ndjej për obligim ta them edhe publikisht, që menaxhmenti i ri i Postës së Kosovës, i zgjedhur aty nga Qeveria Kurti, si vazhdimësi e largimeve politike nga puna në këtë institucion, para dy muajsh e ka larguar nga puna edhe bashkëshorten e Ilazit, Kimeten. Ajo tani është duke i kërkuar të drejtat e saj në rrugën ligjore.
Por, mbi të, përveç dhimbjes që ndjen vazhdimisht për humbjen e njeriut më të dashur, sot rëndojnë edhe padrejtësitë e pushtetit të kryeministrit Kurti.
E ndjeva për obligim ta them këtë, pasi që unë jam e vetmja anëtare e familjes së komandantit Ilaz Kodra, që jam pjesë aktive e politikës.
Familja Kodra nga Prekazi gjithmonë ka qenë e përndjekur, gjithmonë e persekutuar, gjithmonë e diskriminuar, por asnjëherë nuk është dorëzuar!
Kimetja, sot është qytetare e këtij vendi dhe një nënë që i ka rritur vajzat e saj dhe të Ilazit me punë dhe përkushtim të pandalshëm.
Nderime përjetë komandantit Ilaz Kodra dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!