Blerta Deliu, pushtetarëve: Kujdes shëndetin, se xhelozia është sëmundje e poshtër
Sot, gjatë ditës kanë filluar goditjet e pushtetarëve edhe ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliut. Ata e kanë lidhë me Naser Deliun nga Rezalla që drejton biznesin “Valoni Company”, i cili është biznes ndërtimor. Madje e kanë bërë edhe motër të Naserit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes Deliu-Kodra, ka ka dhënë shpjegime se Naserin e ka të fshatit dhe e ka kushëri, ndërsa nuk e ka vëlla. Po ashtu ka bërë të ditur se familja e Naserit është prej familjeve më të dëmtuara gjatë luftës.
Reagimi i plotë i deputetes Deliu:
Eksponentë të pushtetit paskan fillu këtë “luftën hibride” ndaj opozitës, e posaçërisht ndaj meje në rrjete sociale. Këtë herë, më paskan lidhë si pronare të një kompanie ndërtimi, e të cilën, sipas tyre, po e menaxhojka “vëllau” im Naseri. Tash, për shpifjet ndaj meje, unë jam mësu. Nuk po më vjen çudi as kjo e pavërtetë.
Por, që jeni marrë me Naserin, turp ju qoftë. Fillimisht, Naseri nuk është vëllau im, është kushëriri apo bashkëfshatari im. E njoh mirë dhe e çmoj shumë, e qe po ju tregoj edhe pse: Gjysma e familjes së Naserit janë masakruar në Rezallë. Trupi i babait tij është gjetur në Serbi pas 22 vitesh. Familja e Naserit ka qenë prej ma të goditurave gjatë luftës. Për vite me radhë, Naseri e ka mbajtë barrën e familjes mbi supe, duke punuar lloj-lloj pune.
Sot, jam shumë e lumtur që pas qindra sakrificave, edhe Naseri e ka një punë të mirë. Të fituar me punë e djersë. Jam krenare me shumë bashkëfshatarë tjerë të mi, të cilët, me rezistencën e tyre, para, gjatë dhe pas luftës, ia sollën Kosovës lirinë, ku të gjithë, edhe militantët e tillë të Vetëvendosjes, mund të jetojnë të qetë. Unë e di, ju UÇK-në dhe njerëzit që janë dëmtuar gjatë luftës dëshironi t’i shihni si “gjynaha” dhe “hallexhinjë”.
Ja që, kurajo e atyre burrave dhe grave është shumë herë më e lartë se mundësitë tuaja për t’i perceptuar. Kujdes shëndetin, se xhelozia është sëmundje e poshtër. Tash vendosni kapelat edhe dilni bëni ndonjë dallavere në dëm të tyre me Radoiçiqin!