Blindohet Uashingtoni, autoritetet i frikësohen reagimeve të dhunshme pas daljes së rezultatit
Ndërsa amerikanët presin rezultatet e zgjedhjeve, Uashingtoni është në gatishmëri të lartë për dhunë të mundshme nga mbështetësit e Donald Trump, nga frika e një përsëritjeje të trazirave të Kapitolit në vitin 2021.
Për të parandaluar ndonjë reagim të dhunshëm nga qytetar të ndryshëm, autoritetet kanë shtuar forcat e sigurisë në kryeqytetin Uashington, Capitol Hill dhe Shtëpia e Bardhë.
Ato janë siguruar me barriera metalike dhe shumë dyqane dhe ndërtesa zyrash janë mbyllur.
Kompleksi i Shtëpisë së Bardhë duket si një kështjellë, shkruajnë mediat amerikane. Masave të rrepta tashmë ekzistuese të sigurisë u është shtuar një gardh metalik i zi me më shumë se dy metra lartësi.
Policia Federale e SHBA-së krijoi një komandë kombëtare zgjedhore në Uashington për të analizuar kërcënimet që lidhen me zgjedhjet gjatë gjithë kohës.
Autoritetet federale dhe lokale kanë frikë nga skenat që të kujtojnë sulmin në Kapitol më 6 janar 2021. Atë ditë, një turmë pro-Trump plaçkiti sallat e Kongresit, pasi ish-presidenti humbi zgjedhjet.
Trump tashmë ka filluar të vërë në dyshim integritetin e votave edhe para se të numërohen fletëvotimet.
Numri i oficerëve të sigurisë përreth qendrave të votimit në SHBA është rritur në pothuajse 100 mijë.