“Blindohet” Ura e Ibrit
Një ditë pas raportit preliminar se ura e Ibrit është “stabile”, mbi të sot janë vendosur vetura të blinduara të misionit të NATO-s në Kosovë.
KFOR-i, përveç veturave të blinduara që i vendosi në urë mbi lumin Ibër në Mitrovicë, po e kontrollon atë pjesë edhe me qen.
Pjesëtarë të njësisë K9 të kësaj forcë janë parë duke patrulluar me qen edhe nën urën në fjalë.
Ndërkohë, kanë vazhduar edhe sot punimet te Ura e Ibrit në Mitrovicë, përkatësisht pjesën mbi urë dhe pjesët rrethuese të saj, nën praninë njësive të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Të martën, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se kanë pranuar raportin fillestar për urën, ku sipas tij ky raport thotë se ura mbi lumin Ibër në veri është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.
Ndërkohë që sot në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është kundër askujt, e aq më pak partnerëve të Kosovës.
Kështu deklaroi ai në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë. Tutje ai tha se do të vazhdojnë konsultimet dhe koordinimin me partnerët ndërkombëtare.
“Qeveria dhe unë si kryeministër vlerësojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë, shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë dhe hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha Kurti.