Blinken: Është koha të tërhiqemi nga Afganistani
Uashingtoni do të punojë për së afërmi me aleatët e NATO-s për një tërheqje të koordinuar nga Afganistani, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Së bashku kemi arritur qëllimet dhe tash është kohë për të kthyer forcat tona”, ka thënë Blinken para bisedimeve me partnerët e NATO-s në Bruksel.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden do të njoftojë zyrtarisht të mërkurën më vonë se Uashingtoni do të tërheqë 2 500 trupat e tij të mbetura nga Afganistani deri më 11 shtator. Kjo periudhë përkon me 20 vjetorin e fillimit të sulmeve të ShBA-së në Irak.
Më 2001, forcat e udhëhequra nga ShBA-ja kanë pushtuar Afganistanin dhe kanë rrëzuar regjimin e talibanëve, për shkak të strehimit të Al-Kaidës, grupit ekstremist, i cili ka qenë mbrapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane.
Gjatë takimit në Bruksel, partnerët e NATO-s pritet të bien dakord që t’i japin fund misionit të aleancës në Irak, në të njëjtën kohë kur largohet fuqia ushtarake kryesore, ShBA-ja.
“Së bashku, ne shkuam për t’u siguruar që Afganistani nuk do të bëhej përsëri një strehë për terroristët që mund të sulmonin ndonjërin prej nesh”, ka thënë Blinken.
Pavarësisht tërheqjes, Blinken këmbënguli se “angazhimi për Afganistanin do të vazhdojë”.
Talibanët kanë kërcënuar se do të rikthejnë sulmet kundër trupave të huaja në Afganistan, nëse ato nuk largohen deri më 1 maj.
Ky afat është përcaktuar në marrëveshjen arritur më 2020 në mes të talibanëve dhe administratës së ish-presidentit amerikan Donald Trump, për paqe në Afganistan.