Blinken i lavdëron Ramën: Jeni udhëheqës i shquar dhe kryeministër shumë i mirë

15 shkurt 2024 | 16:53

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten ka vizituar Shqipërinë. Gjatë qëndrimit në Tiranë, ai është takuar me liderët e shtetit shqiptar.

Blinkeni është shprehur mirënjohës për partneritetin me Shqipërinë, gjatë një takimi me të rinj te Piramida në Tiranë, ku është shoqëruar edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Blinkeni ka thënë se gjatë mandatit të tij në krye të diplomacisë amerikane ka gjetur një partner të besueshëm te kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke theksuar se ai ka qenë “pranë nesh dhe vështirësitë e kemi tejkaluar së bashku”.

“Ju falënderoj për një mirëpritje të mrekullueshme në vendi e shqiponjave. E ndjej ambientin e ngrohtë jashtë, por ndjej edhe ngrohtësi në këtë dhomë dhe dhomën tjetër që kam qenë në Tiranë. Nuk mund t’ua shpjegoj se sa mirënjohës jam. Është një moment i rëndësishëm dhe vlerësim për punën tuaj për të forcuar marrëdhënien midis vendeve tona. Jam shumë i lumtur që jam sot me ju në një qytet që ju si ish-kryetar bashkie i keni dhënë ngjyra të bukura, jam mirënjohës për partneritetin e jashtëzakonshëm që ne të dy kemi. Kryeministri është jo vetëm udhëheqës i shquar por edhe kryeministër shumë i mirë. Këto 3-4 vitet e fundit që kemi punuar, z. kryeministër ka qenë pranë nesh dhe i ka përballuar këto vështirësi së bashku me ne”, ka thënë Blinkeni, i cili ka folur fjalë të mirë për shqiptarët kudo që jetojnë.

“Amerikanët të rinj dhe jo shumë të rinj po vallëzojnë gjithë natën me Dua Lipën. Shefja e teknologjisë në ‘Open AI’ është Mira Murati. Në Nju-Jork një nga restorantet më të mira është një restorant shqiptar. Këta janë disa shembuj që shpjegojnë një gjë shumë më të madhe, kapërcimi i Shqipërisë në botën e re nuk ishte aq i thjeshtë sa të hapësh dritat, sekreti ishte te njerëzit e rinj si ju që e krijuan ndryshimin. Të rinjtë si ju janë thelbësorë për të transformuar të ardhmen e Shqipërisë. Mes nesh kemi gazetarë që po ekspozojnë korrupsionin, kemi gra sipërmarrëse që fillojnë bizneset e tyre dhe po e bëjnë Shqipërinë akoma më të hapur. Disa prej jush kanë mirëpritur familjet afgane dhe kjo tregon bujarinë e Shqipërisë”, ka thënë ai.

Sekretari Blinken nuk e ka përjashtuar as mundësinë e një vizite të dytë në Shqipëri. “Unë e pashë sot në rrugët e Tiranës, mund të shikoni energjinë për të ardhmen, një e ardhme e integruar me Perëndimin, Evropën dhe botën. Vitin e kaluar një numër rekord turistësh vizituan Shqipërinë. Ekipi i juaj u futbollit u kualifikua për herë të 2 në Kampionatin Evropian. Në vitin 2016 ishte hera e fundit që një sekretar Shteti vizitoi Shqipërinë, ndoshta unë do të vijë gjatë finaleve të Kupës Evropiane dhe ndoshta mund t’ju ndihmoj”, ka thënë ai.

Në kuadër të vizitës në Shqipëri, Blinkeni është takuar me disa prej familjeve afgane që janë duke pritur të shkojnë në ShBA.  Kryediplomati amerikan, ka falënderuar Shqipërinë për strehimin e afër 2 500 afganëve, që kanë ikur nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talibanëve gushtin e vitit 2020. “Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Nuk është vetëm fakti që po i prisni ata, por edhe mënyra se si po e bëni këtë”, ka thënë Blinkeni.

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari amerikan i Shtetit, i cili aktualisht po qëndron në…