Blinken ia bën të qartë Vuçiqit: Ata që shkuan në Serbi pas sulmit, të mbahen përgjegjës
Departamenti i Shtetit Amerikan ka dalë me komunikatë pas bisedës që sekretari Antony Blinken pati me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Këtij të fundit, i është bërë e qartë se ata që ikën në Serbi pas sulmit terrorist, duhet të mbahen përgjegjës.
Në komunikatë, fillimisht thuhet se është biseduar për masa të menjëhershme drejt depërshkallëzimit pas tensioneve të 24 shtatorit, që lanë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
“Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken ka biseduar sot me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Sekretari Blinken dhe presidenti Vuçiq diskutuan rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vdekjes së një rreshteri të Policisë së Kosovës.” – shkruan aty.
Tutje, thuhet se Blinken e ka bërë të ditur qëpjesëtarët e grupit që ikën në Serbi, duhet të mbahen përgjegjës.
Po ashtu, bëhet e ditur se sekretari amerikan ka përshëndetur vendimet për prani të shtuar të KFOR-it në veri.
“Sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi.Sekretari shprehu mbështetjen e tij për veprimet e KFOR-it dhe EULEX-it në reagimin ndaj kësaj ngjarjeje, duke vënë në dukje se incidentet si ato pranë Manastirit të Banjskës paraqesin sfida të papranueshme për KFOR-in dhe komunitetin ndërkombëtar dhe përshëndeti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të autorizuar forca shtesë.” – bëhet e ditur tutje.
Në fund, Blinken i ka bërë të ditur Vuçiqit që duhet të “ta shoqërojë” dëpërshkallëzimin e menjëhershëm të situatës dhe t’i zbatojë plotësisht angazhimet e saj në bazsë të marrëveshjes së normalizimit.
Radojiçiq i përfshirë në sulmin terrorist
Kjo bisedë, vjen pasi Milan Radojiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë së afërt me presidentin Aleksandër Vuçiq, konfirmoi se ka qenë pjesë e sulmit terrorist.
Në një letër të bërë publike tashmë, Radojiçiq e pranoi se ishte pjesë e grupit terrorist që hynë në veri të Kosovës, duke e vrarë një polic kosovar. Tutje, avokati Petronijeviqi e ka lexuar edhe një letër të Radojiçiqit, e cila ishte e mbushur me propagandë.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atiji terror.” – lexohet në letër, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti
Personi që veç është në listën e zezë të ShBA-së, përmes kësaj letre njoftoi edhe se ka dhënë dorëheqje nga pozita që e ka mbajtur deri sot në Listën Serbe.
Vuçiq në anën tjetër, duke folur mbi përfshirjen e Radojiçiq në këtë sulm, pretendoi se ai “nuk do të ikë e as nuk do të fshihet”.
“Jam i sigurt se autoritetet kanë për të bërë pyetje. Nëse prokurori do ta ndjek atë, kjo nuk është në pyetje për mua. E para kjo shkon sipas procedurës, sipas asaj që di, nëse dikush ka menduar se ai do të ikë apo të fshihet.” – ka deklaruar ai sipas “N1”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndërkohë, ka konfirmuar se përmes partnerëve ndërkombëtarë, do t’i kërkojnë Serbisë ekstradimin e Radojiçiq.
Në një intervistë dhënë “REL”-it, Sveçla është shprehur se do të identifikohen të gjithë terroristët e përfshirë në sulm.
“Në të njëjtën kohë, ne do të kërkojmë nga Serbia – patjetër përmes partnerëve tanë – që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të sjellim një normalizim të situatës në Kosovë.” – është shprehur ai.
“Po, patjetër. Të Radoiçiqit dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist.” – tha ai kur u pyet mbi mundësinë e kërkesës për ekstradim të Radojiçiq.