Blinken në Izrael për të kërkuar më shumë ndihmë humanitare për Gazën
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka arritur të premten në Izrael për të bërë presion që më shumë ndihmë humanitare të lejohet të hyjë në Gazën e rrethuar, përderisa trupat izraelite kanë ashpërsuar rrethimin e tyre të qytetit të Gazës për të fokusuar fushatën e tyre në shtypjen e grupit militant Hamas, që udhëheq këtë enklavë.
Në kufirin verior me Libanin, tensionet po vazhdojnë të përshkallëzohen para fjalimit të planifikuar për më vonë gjatë të premtes të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Ky do të jetë fjalimi i tij i parë që kur Hamasi sulmoi Izraelin muajin e kaluar, duke nxitur frikën se konflikti Izrael-Hamas mund të shndërrohet në një konflikt rajonal.
Të enjten, Hezbollahu, aleat i Hamasit, sulmoi pozicionet izraelite në veri duke kryer sulme me dronë, mortaja dhe me dronë vetëvrasës. Ushtria izraelite tha se është kundërpërgjigjur me sulme me avionë dhe helikopterë luftarakë.
Që kur lufta në Gazë nisi më 7 tetor, Hezbollahu ka ndërmarrë hapa të kalkuluar për të angazhuar ushtrinë izraelite në kufi me Libanin, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë përshkallëzim që do të nxiste një luftë, raporton Rel.
Mbi 9.000 palestinezë deri më tani janë vrarë në Gazë dhe mbi 1.400 të tjerë në Izrael, shumica civilë të vrarë gjatë sulmit fillestar të Hamasit.
Kjo është vizita e tretë e Blinkenit në Izrael që nga sulmi i Hamasit. Gjatë vizitës më 3 nëntor ai do të qëndrojë në Tel Aviv dhe Aman të Jordanisë dhe vizita e kryediplomatit vjen pas presidenti amerikan, Joe Biden, sugjeroi për një “pauzë” humanitare të luftimeve. Qëllimi do të jetë që të lejohet më shumë ndihmë për palestinezët dhe që shtetasit e huaj dhe të plagosurit të lejohet të largohen nga Gaza. Afër 800 persona janë larguar nga Rripi i Gazës në dy ditët e fundit.
Izraeli nuk është përgjigjur menjëherë për sugjerimin e Bidenit. Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paraprakisht kishe hedhur poshtë mundësinë e armëpushimit dhe të mërkurën, tha se “ne po avancojmë… asgjë nuk do të na ndalë”, përderisa u zotua se do të shkatërrojë Hamasin.
SHBA-ja është zotuar për mbështetje të palëkundur për Izraelin pasi militantët e Hamasit vranë mijëra persona më 7 tetor dhe morën afër 240 pengje.
Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.
Në të njëjtën kohë, administrata Biden ka kërkuar që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.
Mbi 3.700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftimeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit.
Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.
Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk po kërkon një armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar”.
Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas nëse Hamasi – që udhëheq Gazën – do të mposhtet. Kjo do të jetë një pyetje kyçe në agjendën e Blinkenit gjatë kësaj vizite, tha DASH-i.
Më herët gjatë javës, Blinkeni ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez të qeverisë me Gazën. Hamasi e kishte larguar nga pushteti Autoritetin Palestinez më 2007, kur mori kontrollin e territorit. Autoriteti Palestinez tani ka fuqi të kufizuara në disa pjesë në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Zyrtarët ushtarakë dhe forcat izraelite tani kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një zonë e banuar që Izraeli ka thënë se është qendër e infrastrukturës ushtarake të Hamasit, ku përfshihet edhe rrjeti i gjerë i tuneleve nëntokësore, bunkerëve dhe qendra komanduese.