Blinken nuk takon Osmanin dhe Kurtin, Krasniqi: Alarm i keq për të dy
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nuk kanë arritur të takohen më sekretarin amerikan Antony Blinken në konferencën e Sigurisë që po mbahet në Mynih.
Krasniqi thotë se kjo mund të lexohet si pakënaqësi e ShBA me politikën që Osmani dhe Kurti e ndjekin.
“Shmangia e një takimi me Vjosa Osmanin e me Albin Kurtin nga sekretari amerikan, Blinken, mund të lexohet si pakënaqësi e SHBA-së me politikën që këta të dy po ndjekin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Tutje, ai tha se kjo duhet të jetë alarm për dy liderët kosovarë, por jo për Kosovën.
“Kjo gjë do të duhej të ishte alarm për Vjosa Osmanin e për Albin Kurtin. Jo edhe aq për Kosovën. Kosova vazhdon të jetë nën kujdesin dhe mbrojtjen e SHBA-së, pavarësisht kush ulet në ato karrige. Ata që ulen në ato karrige bëjnë mirë ta dinë se mandatet e tyre janë të përkohshme, ndërsa Kosova atlantike është e përjetshme”, ka shkruar Krasniqi.