Blinken: ShBA-ja do të gjallërojë aleancën e NATO-s
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken wshtw zotua të rindërtojë dhe gjallërojë aleancën e NATO-s.
Duke folur nga selia e NATO-s në Bruksel, Blinken tha se Aleanca po ndeshej me rreziqe të shumta në botë, përfshirë ndryshimin e klimës.
“Shtetet e Bashkuara duan të rindërtojnë mbi të gjitha marrëdhëniet me aleatët e NATO-s,” u tha Blinken gazetarëve pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të aleancës Jens Stoltenberg.
Në lidhje me tërheqjen nga Afganistani, Blinken premtoi se SHBA-ja do të konsultohet me aleatët gjatë takimit të ministrave të Jashtëm.
I pyetur për projektin Rrjedha Veriore 2, Blinken tha se gazsjellësi që po ndërtohet nga Rusia dhe Gjermania bie ndesh me interesat e Bashkimit Europian dhe shton varësinë e Evropës për gaz ndaj Rusisë.
Deri më tani është ndërtuar rreth 95% e gazsjellësit, ndërkohë SHBA-ja druhet se Rusia mund ta përdorë tubacionin si mjet për të dobësuar fuqinë e BE-së.
Vizita e Blinken në Bruksel përkon me sanksionet evropiane ndaj Kinës për keqtrajtimin e myslimanëve ujgurë.
Të nesërmen e sanksioneve, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov vizitoi Pekinin ku gjatë takimit me homologun Wang Yi tha se lidhjet dypalëshe nuk kanë qenë kurrë më të forta.