Blinken: Të mos politizohet ndihma për Sirinë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se, ndihma humanitare për Sirinë nuk duhet të shndërrohet në një çështje politike.
Ai bëri thirrje për hapjen e më shumë vendkalimeve kufitare për të dërguar ndihma për 13.4 milionë njerëz.
Blinken, duke iu referuar Rusisë dhe aleatit të saj të ngushtë presidentit sirian Bashar Assad, tha se Këshilli i Sigurimit duhet të “ndalojë të bëjë justifikime për sulmet” ndaj spitaleve dhe pranë pikës së vetme kufitare të kalimit të autorizuar, e cila ka mbyllur rrugët për ndihmë.
Blinken kryesoi një takim virtual të Këshillit të Sigurimit, pasi Shtetet e Bashkuara mbajnë presidencën e rradhës të Këshillit.
“Le t’i japim fund pritjes, le të marrim masa, le të ndihmojmë popullin e Sirisë”, tha Blinken.
Blinken bëri thirrje për rihapjen e vendkalimeve të mbyllura në Bab al-Salam, gjithashtu në kufirin turk, dhe Al-Yarubiyah në kufirin irakian, duke thënë se përmes tyre u furnizuan 4 milionë përkatësisht 1.3 milionë sirianë.
“Le t’i mundësojmë vetes më shumë rrugë, në vend se më pak rrugë, për t’i ofruar ushqim dhe ilaçe popullit sirian”, tha Blinken.
Blinken bëri thirrje përfundimisht për një zgjidhje politike në Siri bazuar në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit, e miratuar unanimisht më 2015./rel/