Blinken telefonon Lavrovin, i kërkon lirimin e gazetarit amerikan
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar lirimin e gazetarit të arrestuar të Wall Street Journal – në një telefonatë të rrallë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
Lavrov tha se ShBA-ja nuk duhet ta politizojë arrestimin.
Gazetari amerikan, Evan Gershkovich, u arrestua të premten me akuzën për spiunazh. Wall Street Journal i ka mohuar këto akuza.
Ministria e Jashtme e ruse konfirmoi të dielën se Blinkeni dhe Lavrovi diskutuan arrestimin e gazetarit amerikan, në një telefonatë që u iniciua nga ShBA-ja.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinkeni përcolli “shqetësim të madh për ndalimin e papranueshëm të një gazetari amerikan nga Rusia”, raporton Rel.
Lavrov u përgjigj duke përsëritur pretendimet e Rusisë se Gershkovich u kap “në flagrancë duke u përpjekur të merrte informacion të klasifikuar” dhe se çështja e tij do të trajtohet nga gjykatat ruse, thuhet në një deklaratë të MPJ-së ruse.
Gjatë telefonatës, Blinkeni kërkoi gjithashtu lirimin e shtetasve të tjerë amerikanë të arrestuar në Rusi, duke përfshirë ish-marinsin amerikan, Paul Whelan, i cili gjithashtu mbahet nën akuzat për spiunazh për më shumë se pesë vjet.
Gershkovich, 31 vjeç, është korrespondent i njohur në Moskë i Wall Street Journal. Gazeta humbi çdo kontakt me të të mërkurën pasdite, pas së cilës u zbulua se ai u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – agjencia ruse për siguri dhe kundërzbulim që e ka pasuar agjencinë KGB të kohës sovjetike.
FSB pretendoi se kishte ndaluar “aktivitetet e paligjshme” dhe se gazetari ishte arrestuar “duke vepruar sipas udhëzimeve të SHBA-së”.
Spiunazhi në Rusi mund të dënohet deri në 20 vjetë burgim.
Arrestimi i Gershkovich është dënuar nga gazetarët në mbarë botën.
Në një letër drejtuar ambasadorit rus në SHBA, Anatoli Antenov, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e quajti arrestimin e Gershkovich “të pajustifikuar dhe të padrejtë”.
Gershkovich është gazetari i parë i një mediumi amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë. Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit shkaku i luftës në Ukrainë.