Blinken u thotë ukrainasve se ndihma ushtarake “është rrugës”
Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën “është rrugës”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në Kiev më 14 maj, përderisa Rusia po vazhdon ofensivën e saj të re në rajonin verilindor të Harkivit.
Vizita e paparalajmëruar e Blinkenit në Ukrainë po ndodh disa javë pasi Kongresi amerikan miratoi paketën e ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.
“Në terma afatshkurtër, ndihma tani është rrugës dhe do të bëjë dallim të vërtetë kundër agresionit rus”, i tha ai presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Blinken arriti gjatë natës me treg nga Polonia në vizitën e tij të katërt në Kiev, që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Zelensky e falënderoi Uashingtonin për ndihmë ushtarake duke thënë se “vendimi për paketën e ndihmës ishte krucial për ne”.
Sipas tij, Ukraina më së shumti ka nevojë për mbrojtje ajrore, duke i kërkuar SHBA-së dy bateri të sistemit Patriot për rajonin e Harkivit, ku forcat ruse po kryejë ofensivë të re.
Ofensiva ruse në Harkiv nisi javën e kaluar dhe mijëra persona u evakuuan, ndërkaq Kievi mobilizoi përforcime për t’i dërguar në këtë rajon që gjendet në kufi me Rusinë.
Blinken gjatë vizitës në Ukrainë do të takohet edhe me kryeministrin Denys Shmyhal, dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
Në këto takime, sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, kryediplomati amerikan dhe udhëheqja ukrainase do të diskutojnë për “më të rejat nga fushëbeteja, për ndikimin e ndihmës së re amerikane në fushën e sigurisë dhe ekonomisë dhe për zotimet afatgjata për siguri dhe zotime të tjera”.
Vizita e fundit në Ukrainë e një zyrtari të lartë amerikan u zhvillua në mars, kur këshilltari për siguri kombëtare Jake Sullivan vizitoi shtetin që po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi Moska në shkurt të vitit 2022.