Blinkeni i bën thirrje Senatit ta përshpejtojë konfimrimin e ambasadorëve të rinj

14 dhjetor 2021 | 11:42

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë thirrje të martën në Senatin e ShBA-së për t’i përshpejtuar konfirmimet e kandidatëve të presidentit Joe Biden për ambasadorë, duke thënë se këto vonesa kanë penguar përpjekjet për t’i trajtuar sfidat e politikës së jashtme.

Bideni është zotuar që përmes diplomacisë ta rivendosë udhëheqjen e ShBA-së në botë, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Reuters” shkruan se konfirmimi i kandidatëve për ambasadorë nga Senati është thelbësor për arritjen e këtij qëllimi.

“Ky është një problem i madh”, ka thënë Blinkeni në një konferencë për media në Xhakarta, ndalesa e parë në një udhëtim në Azinë Juglindore që do ta mbulojë Malajzinë dhe Tajlandën.

“Për hir të sigurisë sonë kombëtare, Senati duhet të veprojë”, ka thënë ai.

Të nominuarit nuk bëhen ambasadorë derisa të konfirmohen nga Senati i ShBA-së.

Blinkeni ka thënë se deri javën e kaluar vetëm 16 për qind e diplomatëve kanë marrë konfirmim në Senat dhe ka kujtuar se gjatë tri administratave të mëparshme, 70 deri në 90 për qind e ambasadorëve ishin konfirmuar deri në këtë periudhë.

“Pothuajse çdo sfidë me të cilën përballemi, duke përfshirë Rusinë, Kinën, me faktorët joshtetërorë, ne jemi të penguar nga fakti që nuk kemi ekipin tonë të plotë të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme në terren”, ka thënë ai.

Blinkeni ka thënë se  ka folur për këtë problem me udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, të hënën mbrëma.

“Reuters” ka shkruar se senatorët republikanë, Ted Cruz dhe Marco Rubio po bllokojnë zgjedhjen e kandidatëve për ambasadorë të propozuar nga presidenti Joe Biden.

Më 19 nëntor, Jeffrey Hovenier është konfirmuar në Senat si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Hovenieri, diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Në tetor, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike. Ai tha gjithashtu se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenieri është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është anuluar ndeshja në mes të Manchester United dhe Brentfordit,…