Blinkeni, i bindur për përparimin e Suedisë drejt anëtarësimit në NATO
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë më 6 nëntor se është i bindur që do të ketë përparim në anëtarësimin e Suedisë në NATO, pas bisedimeve që zhvilloi me homologun e tij turk në Ankara.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën ka dërguar në Parlament Projektligjin për ratifikimin e pranimit të Suedisë në aleancën ushtarake të NATO-s, pasi për muaj të tërë kishte bllokuar këtë legjislacion.
Legjislacioni duhet të miratohet nga Komiteti për punë të jashtme i Parlamentit, para se t’i dërgohet Asamblesë së Përgjithshme. Më pas, Erdogani duhet ta nënshkruajë atë për t’u shndërruar në ligj.
“Jam i bindur se do të shohim një lëvizje përpara për këtë çështje”, ka thënë Blinkeni për gazetarët para se të largohej nga Ankaraja, përderisa u pyet nëse Turqia kishte dhënë ndonjë garanci për mbështetjen e pranimit të Suedisë në NATO.
Blinkeni ka thënë se ShBA-ja ishte shumë e inkurajuar nga fakti që Erdogani ka dërguar në Parlament për ratifikim protokollin për pranim, duke shtuar se ky ishte një “përkushtim i përbashkët” i Ankarasë dhe Uashingtonit, raporton “Rel”.
Kryediplomati amerikan ka thënë se pret që të shohë rezultate për këtë çështje.
Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO. Finlanda u bë anëtarja më e re e aleancës në prill, por Suedia ende po pret ratifikimin nga parlamentet e Turqisë dhe Hungarisë.
Kreu i Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin turk, ka thënë javën e kaluar se ai nuk do të përshpejtojë procesin e ratifikimit për pranimin e Suedisë në NATO. Por, gjatë fundjavës, Erdogani ka deklaruar se do të tentojë të lehtësojë këtë proces.