Blinkeni i shkruan letër ministres Xhaçka: Besimplotë në vazhdimin e partneritetit strategjik

16 nëntor 2021 | 15:48

Sekretari amerikan i shtetit, Antony J. Blinken, përmes një letre dërguar ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka shprehur mirënjohjen për kontributin e dhënë nga Shqipëria në strehimin e qytetarëve afganëve, gjatë dy muajve të fundit.

“Në emër të Departamentit të Shtetit, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen tonë më të thellë Republikës së Shqipërisë që ishte vendi i parë që ofroi një parajsë të sigurtë për afganët e rrezikuar dhe për zemërgjerësinë e kurajon që populli juaj ka treguar gjatë gjithë operacioneve të NATO-s në Afganistan. Në mënyrë të veçantë dëshiroj t’ju përgëzoj për ndërhyrjen e fuqishme në ministerialin e datës 20 gusht të takimit virtual të ministrave të jashtëm”, ka nënvizuar Blinkeni në letrën e tij.

Sekretari amerikan është shprehur se me anë të këtyre veprimeve, Shqipëria ka treguar edhe një herë përkushtimin e saj të fortë ndaj aleancës së NATO-s, ndërsa ka vlerësuar kontributin e Shqipërisë në të gjitha operacionet e NATO-s, në Afganistan gjatë të cilave u angazhuan rreth 4 mijë trupa të forcave të armatosura.

“Investimi i Shqipërisë në sigurinë dhe prosperitetin e popullit afgan ka ndihmuar shumë në avancimin e synimeve tona të përbashkëta. Trupat shqiptare ndihmuan në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt për forcat tona si dhe për popullin afgan. Prania e tyre ka bërë të mundur që Aleanca e NATO-s të kryejë operacionet e saj, t’u mundësojë vajzave të reja ndjekjen e shkollës si dhe kanë bërë më të sigurt jetën e përditshme për shumë qytetarë afganë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë thellë marrëdhënien tonë të ngushtë me Shqipërinë dhe mbetemi besimplotë në vazhdimin e këtij partneriteti strategjik për avancimin e interesave tona të përbashkëta”, ka shkruar Antony Blinken në letrën që ia ka dërguar homologes nga Shqipëria.

Letra e sekretarit Blinken i është dorëzuar ministres Xhaçka nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është kërkuar të hetohen…