Blinkeni i shkruan letër Vuçiqit: Liderët e Serbisë dhe Kosovës të bëjnë kompromise të vështira
Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka shkruar letër urimi për ditën e shtetësisë së Serbisë, presidentit të këtij shteti Aleksandër Vuçiq.
Në letrën e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASh) kryediplomati nga Uashingtoni mes tjerash, ia ka përmendur presidentit serb, ujdinë me Kosovën.
“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb, dhe gjithë rajonin do të jenë të mëdha”, ka thënë Blinkeni.
Ndërkohë të martën po për nder të ditës së shtetësisë së Serbisë, që festohet më 15 shkurt, Vuçiqit, i dërgoi letër urimi edhe presidenti i ShBA-së, Joe Biden.
“Në vitin që është para nesh, ShBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e BE-së për normalizim, që do të kontribuojë në krijimin e një të ardhme më paqësore dhe me prosperitet për rajonin”, ka shkruar Bideni.