Blinkeni kritikon planet e luftës të Izraelit
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dhënë disa prej deklaratave më të ashpra publike deri më tani për Izraelin, lidhur me luftën e tij në Gazë.
Kryediplomati amerikan, ka thënë se taktikat izraelite kanë prodhuar “një humbje të tmerrshme të jetës së civilëve të pafajshëm”, por nuk kanë arritur të neutralizojnë liderët dhe luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – gjë që mund të çojë në një kryengritje të qëndrueshme.
Në dy intervista televizive, Blinkeni ka thënë se ShBA-ja beson se forcat izraelite “duhet të largohen nga Gaza”, por po ashtu ka thënë se pret që të shohë plane të besueshme nga Izraeli për sigurinë dhe qeverisjen në këtë territor pasi të përfundojë lufta.
Hamasi është rishfaqur në disa pjesë të Gazës, ka thënë Blinkeni, dhe “një veprim i ashpër” nga forcat izraelite në qytetin jugor, Rafah, do të rrezikonte që ta lërë aleatin më të afërt të Uashingtonit në Lindjen e Mesme që të përballet “me një kryengritje të qëndrueshme”.
Ai tha se SHBA-ja ka punuar me shtetet arabe dhe të tjerët për javë të tëra për të zhvilluar “plane të besueshme për sigurinë, për qeverisjen, për rindërtimin” në Gazë, por “ne nuk kemi parë që kjo të bëhet nga Izraeli… Ne duhet ta shohim këtë gjë”.
Blinkeni po ashtu tha se përderisa Izraeli po hyn më thellë në Gazë, një operacion ushtarak atje “në fillim mund të ketë sukses”, por rrezikon të shkaktojë “dëm të tmerrshëm” te popullata duke mos zgjidhur problemi “që ne duam të zgjidhim, që është që Hamasi të mos mund të qeverisë sërish me Gazën”.
Më shumë se 1 milion palestinezë janë strehuar në Gazë për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të territorit. Izraeli ka thënë se në këtë qytet gjenden edhe katër batalione të Hamasit.
Mënyra se si Izraeli po e zhvillon luftën, ka thënë Blinkeni, ka bërë që shteti të jetë “në një trajektore, potencialisht duke trashëguar një kryengritje me shumë luftëtarë të Hamasit të armatosur, apo që vakumi të mbushet me kaos, me anarki dhe që me gjasë ky vakum do të mbushet nga Hamasi”.
Blinkeni po ashtu për herë të parë përsëriti gjetjet e një raporti të prezantuar javën e kaluar në Kongres që thoshte se armët që i ka ofruar ShBA-ja Izraelit, të cilat janë përdorur në Gazë, potencialisht kanë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar.
“Kur bëhet fjalë për përdorimin e armëve, shqetësimet për incidente ku marrë parasysh dëmin që u është shkaktuar fëmijëve, grave, burrave, është e arsyeshme të vlerësohet se në disa raste, Izraeli ka vepruar në mënyra që nuk janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar”, ka thënë ai.
Blinkeni po ashtu të dielën ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, të cilit ia ka përsëritur kundërshtimin e ShBA-së për ofensivën në Rafah, tha Departamenti amerikan i Shtetit.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi ka sulmuar jugun e Izraelit duke vrarë afër 1 200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 35 000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.