Blinkeni përshkallëzon kundërshtimin e tij ndaj armëpushimit në Gaza
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka përshkallëzuar kundërshtimin e tij ndaj një armëpushimi në Gaza në komentet e bëra të mërkurën, duke thënë se “ata që bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm kanë detyrimin të shpjegojnë se si të trajtojnë rezultatin e papranueshëm që ka të ngjarë të sjellë”.
Shumë nga shtetet arabe kanë bërë thirrje për një armëpushim të tillë duke e vënë ShBA-në dhe aleatët e saj të G7-ës në mosmarrëveshje me partnerët e tyre rajonalë.
Vërejtjet e Blinkenit në një konferencë për medie pas takimit ministror të G7 në Tokio shkojnë më tej se komentet e tij në të kaluarën.
Ai vazhdimisht ka thënë se ShBA-ja nuk mbështet një armëpushim, duke argumentuar se një ndalesë e tillë e pacaktuar e luftimeve do të lejonte Hamasin të rigrupohej dhe të sulmonte përsëri Izraelin, por nuk i kishte thirrur në mënyrë eksplicite ata që e mbështesin një të tillë, raporton “CNN”.
Blinkeni të mërkurën ka theksuar pengmarrjen e Hamasit një muaj më parë dhe vuri në dukje se grupi është zotuar të përsërisë sulmin e 7 tetorit “përsëri dhe përsëri dhe përsëri”.
“Izraeli na ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk ka kthim prapa në tetor (7) përpara sulmeve barbare nga Hamasi – ne jemi plotësisht dakord”, ka thënë Blinkeni.
Diplomati i lartë amerikan ka thënë se ai e ka informuar homologët e tij të G7 për udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme “si dhe angazhimet e gjera të presidentit Bideni dhe ekipit tonë”.
“Ne të gjithë ramë dakord që pauzat humanitare do të çonin përpara objektivat kryesore”, ka thënë Blinkeni.