Blinkeni: Të riatdhesohen dhe ndiqen penalisht militantët e IS-it
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ndalimi i rreth 10 mijë luftëtarëve të Shtetit Islamik (IS) në kampet në Siri, ka çuar në një “situatë të paqëndrueshme”.
Luftëtarët e grupit ekstremist janë internuar në kampe që udhëheqin forcat kurde, me mbështetjen e ShBA-së, qëkur Shteti Islamik është shpallur i mposhtur, në vitin 2017.
Duke folur në një takim në Romë për luftën kundër Shtetit Islamik, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’u bëjnë thirrje vendeve që t’i riatdhesojnë, rehabilitojnë dhe ndjekin penalisht shtetasit e tyre, që i janë bashkuar grupit.
“Kjo situatë është e pajustifikueshme. Nuk mund të zgjasë gjithmonë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i nxisin vendet e origjinës, përfshirë partnerët e koalicionit, që t’i riatdhesojnë, rehabilitojnë dhe, ku është e mundur, ndjekin penalisht qytetarët e tyre”, ka thënë Blinkeni.
Blinkeni dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, janë duke bashkëkryesuar një takim të zyrtarëve të lartë nga koalicioni 83-anëtarësh për mposhtjen e Shtetit Islamik.
Ai ka thënë se mposhtja e plotë e Shtetit Islamik kërkon adresimin e kërcënimeve që paraqet grupi jashtë Irakut dhe Sirisë, më saktësisht në Afrikë.
Shteti Islamik ka marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014.
Grupi është mundur ushtarakisht tre vjet më vonë nga një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Që nga ajo kohë, grupi ka kryer sulme nëpër pjesë të Irakut verior dhe në kufi me Sirinë.
Në muajt e fundit, zyrtarët irakianë ua kanë atribuuar militantëve të Shtetit Islamik më shumë se 25 sulme vdekjeprurëse.
Gërvalla në Romë: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në luftimin e ekstremizmit