Blinkeni: Vazhdon tërheqja nga Afganistani, pavarësisht dhunës
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të premten se për ShBA-në, status quo-ja nuk ishte një opsion për Afganistanin.
Ai ka thënë se Uashingtoni vazhdon me planet për tërheqjen e trupave nga Afganistani deri në shtator, pavarësisht rritjes së dhunës.
“Ne po shohim se në disa pjesë të caktuara të vendit, sulmet ndaj forcave afgane të sigurisë kanë shënuar rritje krahasuar me një vit më parë”, ka thënë Blinkeni gjatë udhëtimit të tij për në Paris të Francës.
Ai ka theksuar se ShBA-ja duhet të jetë më e ashpër në mbikëqyrjen zbatimit të procesit të paqes nga ana e talibanëve.
Dhuna është rritur ndjeshëm në të gjithë Afganistanin që kur Shtetet e Bashkuara në muajin prill njoftuan planet për të tërhequr të gjitha trupat e tyre deri më 11 shtator.
Nga Afganistani do të tërhiqen, përmes një procesi të koordinuar, edhe forcat e NATO-s.
Ekzistojnë shqetësime se pas tërheqjes së forcave të huaja, forcat e sigurisë së Afganistanit nuk do të jenë në gjendje të mbajnë sigurinë.
Kryengritësit talibanë po luftojnë trupat qeveritare në 26 nga 34 provincat e Afganistanit, thonë zyrtarët e qeverisë.
Ky grup islamist ka konfiskuar edhe sasi të mëdha të pajisjeve ushtarake, dhe ka vrarë, plagosur dhe zënë dhjetëra ushtarë.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.