
Bllokada politike pas zgjedhjeve, kur pushteti është interes jo shteti
Shkruan: Hisen Berisha
Shpërthimet e shumta të fishekzjarrëve dhe raketave kineze, në mesnatën e 27/28 marsit, lajmëruan certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Ankimimi i LVV ndaj votave të “dyshimta” nga mërgata duket se ishte më shumë truk që subjektet tjera zgjedhore të mos ankoheshin. Duket se funksionoi për mrekulli marrëveshja e koalicionit LVV+ dhe partive të opozitës — “ne do i vjedhim votat brenda partive tona, e ju LVV+ vjedhni votat në të gjithë Kosovën e në mërgatë”.
Çdo vonesë në krijimin e institucioneve pas certifikimit të zgjedhjeve është rezultat i disa faktorëve të ndërlidhur, që përfshijnë: sfida kushtetuese, përplasje politike dhe mungesë vullneti për zgjidhje të shpejtë.
Kushtetuta e Kosovës përcakton qartë afatet për formimin e institucioneve paszgjedhore, kujt i takon mandati sipas votës së qytetarëve, neni 90, pikat 1, 2, 3; kurse në nenin 70 rregullon ndarjen e pushteteve dhe shmangien nga konflikti i interesit të deputetit që emërohet anëtar qeverie, njëjtë edhe në Ligjin përkatës 08/L-117 që sqaron se kur përfundon mandati i një anëtari të qeverisë. Por, praktika ka treguar se interpretimi i saj shpesh ka sjellë vonesa.
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, propozimi dhe votimi i Qeverisë varen nga dinamika parlamentare dhe nga marrëveshjet mes partive, gjë që në këtë rast pozicionimi deklarativ i kandidatëve për mandatar nga partitë garuese e vështirëson procesin.
Partitë politike, duhet të veprojnë me efikasitet për të ndërtuar institucionet, e jo të përfshihen në negociata të gjata dhe shpesh të kushtëzuara nga interesa të ngushta.
Kjo krijon një situatë bllokimi, ku vendimet shtyhen për shkak të kalkulimeve politike dhe jo për mungesë të mekanizmave institucional.
Si pasojë, shteti mund të mbetet pa qeveri funksionale, çka pengon miratimin e politikave kyçe dhe reformave të nevojshme.
Kjo dëmton gjithashtu imazhin e Kosovës si shtet serioz në arenën ndërkombëtare dhe jep mesazhin e mungesës së stabilitetit politik.
Kjo situatë është një sinjal i qartë se duhet të ketë një qasje më institucionale dhe më pak të varur nga lojërat politike.
Kosova ka nevojë për një kulturë politike ku përfaqësuesit e zgjedhur e shohin ndërtimin e institucioneve si detyrë dhe jo si mjet për përfitime partiake. Pra, ta kenë prioritet shtetin e jo pushtetin.
Në vend të krizave të vazhdueshme, duhet një qasje më konstruktive dhe një kulturë politike që vë interesin shtetëror mbi atë partiak.