Bllokimi i projekteve kapitale | Kryetari i Suharekës mesazh qeverisë: Krejt me u çu në këmbë nuk mundeni me na ndalë
Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin, ku u diskutuan përplasjet e qeverisë me komunat, u tha se as kjo qeveri e as qeveritë paraprake nuk kanë mundur as nuk do të munden t’i bllokojnë projektet kapitale të komunave.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka thënë se si komunë nuk kanë përplasje me qeverinë. Ai ka thënë se se si kryetar komunë ai nuk bën politikë, por udhëheq më komunën e tij.
“Ne jemi të interesusar të punojmë dhe të krijojmë kushte më të mira për qytetarët, të kemi zhvillimin ekonomik më të mira, kushte më të mira për jetesë dhe se krejt me u çu në këmbë nuk munden me na nal, ne e kemi përnjëmend dëshirojmë me e ndryshu këtë vend jemi duke punuar dhe nuk ka kush na dal, nuk kanë mujt me na dal do gjenerata shumë para këtyre e po na ndalin këta”, ka shtuar kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.
Ai i ka rikujtuar qeverisë se edhe “përkundër bllokadës aktuale” që kanë nga qeveria, nuk mund t’i ndalin ngase kanë buxhetin komunal, kanë donacione e grante të ndryshme.
Sipas tij, qeveria e vendit është e zgjedhur nga populli, siç janë edhe kryetarët e komunave.
“Është e vërtetë se ne kemi disa probleme me qeverinë dhe përmes Asociacionit të Komunave kemi kërkuar takim me kryeministrin sepse kemi problem me bartjen e mjeteve që janë të parapara me ligj që të jenë vetëm të komunave, që t’i marrin të hyrat vetanake duhet të ndryshojnë ligjin. Ata munden me na blloku, me na i pezullu këto mjete, por ato do të kthehen prapë tek komunat, aty ku e kanë burimin”, ka pohuar i pari i Suharekës.