Bllokimi i magjistrales Kaçanik-Hani i Elezit, Lekaj tregon rrugën alternative
Janë bërë më shumë se 10 ditë kur magjistralja Kaçanik-Hani i Elezit është mbyllur për qarkullim të automjeteve, për një afat të pacaktuar.
Lidhur me këtë situatë, kosovarët që ia mësyjnë Maqedonisë duhet të zgjedhin rrugë më të vështirë për të shkuar në shtetin fqinjë.
Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar me kohë opinionin për bllokimin e këtij segmenti të rrugës.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Lekaj ka folur për rrugën alternative që qytetarët mund ta përdorin për të kaluar këtë pjesë të rrugës. Ai thotë se bëhet fjalë për rrugën në kufirin me Glloboqicë, saktësisht që të dërgon ka Tetova.
“Sa i përket rrugës alternative ne e kemi zhvendos edhe Doganën edhe rruga alternative që është pak më e gjatë pra 9 kilometra që është Glloboqicë edhe nëpërmjet Gorancës që del edhe te Hani i Elezit apo që shkohet edhe për zhdoganim të mallrave ne kufirin me Glloboqicë për ka Tetova”, është shprehur Lekaj për “Indeksonline”.
Më tej, i pyetur se a ka gjasë që të gjendet edhe ndonjë rrugë tjetër alternative më e shkurtër, i pari i MI-së ka theksuar se për fat të keq nuk ka.
Megjithatë, Lekaj ka thënë se për rrugët lokale përgjegjësinë e kanë Komunat. E, në këtë rast Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi. Sipas tij, komuna në fjalë ka pasur një menaxhim të dobët, prandaj MI-ja ka bërë sanimin e rrugës Kotlinë.
“Më e shkurtër nuk ka. Për fat të keq s’kemi qysh, por ka pasur edhe ankesa nga Komuna e Kaçanikut se është dashur vet të menaxhojnë situatën, për rrugë lokale nxënësit do të thotë të vijojnë në shkollë, ne sot do të ndërhyjmë në atë rrugë lokale edhe pse është përgjegjësi e Komunave, e në këtë rast e Kryetarit, e jo e Ministrisë së Inrastrukturës, mirëpo duke u nisur nga niveli i menaxhimit të dobët i Komunës së Kaçanikut ne kemi ndërhy dhe do ta sanojmë këtë gjendje të asaj rruge që quhet Kotlinë”, ka përfunduar Lekaj.
Ndryshe, në disa media është raportuar se rrugë alternative për të shkuar në Maqedoni mund të përdoret edhe ajo në drejtim të Ivajës- Shtrazës- Kotlinës- Kashanit dhe Hanit të Elezit.