Bllokohet kompleksi i njohur në Dhërmi, Rama: Askush s’është mbi ligjin
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është bllokuar një ndër komplekset më të njohura në zonën turistike të Dhërmiut, “Havana”, në kuadër të aksionit anti-informalitet të nisur prej muajit korrik.
Duke publikuar fotot e biznesit të bllokuar në profilin e tij në “Facebook”, Rama ka shkruar me ironi se i vjen keq për “Havanën” e famshme të pushimeve joniane, i cili sipas tij, është ndëshkuar pasi nuk ka respektuar ligjin.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë përsërit paralajmërimin se askush nuk është mbi ligjin dhe çdokush do të goditet. “Keqardhje vërtetë për Havanën e famshme të pushimeve joniane Hajde merre vesh, si ka mundësi(!), që të bësh një investim të tillë dhe të mos respektosh ligjin, duke mos lëshuar kuponin dhe duke e paguar shkeljen si frëngu pulën. Por mesa duket sa më i madh biznesi, aq më e madhe vështirësia për ta futur në kokë mesazhin #STOPINFORMALITETIT. Askush s’është mbi ligjin dhe çdo kush do goditet me #ZeroTolerancë nëse mban për vete, pjesën e xhiros që i takon konsumatorit dhe shtetit”, ka shkruar Rama.