Bllokohet qarkullimi Shëngjin-Milot pasi pushuesit lënë plazhet
Një pamje, e cila tashmë është kthyer në rutinë të vërtetë të fundjavave.
Largimi i pushuesve nga plazhet shkakton trafik të rënduar, këtë herë edhe në akset veriore të vendit, që prej bregdetit të Shëngjinit e deri në Milot.
Trafiku ka filluar të rëndohet që prej orëve të para të pasdite dhe ka kulmuar më pas, duke pasur edhe ndalim tërësor të automjeteve në raste të caktuara.
Pavarësisht lajmërimeve të autoriteteve policore, trafiku nuk është shmangur as këtë fundjavë, për shkak të fluksit të lartë.
Mijëra pushues kanë zgjedhur plazhet e Lezhës për fundjavën e fundit të qershorit dhe kjo gjë është reflektuar edhe në trafik.
Po ashtu, rëndim të trafikut ka edhe në segmentet që prej jugut të Shqipërisë, për shkak të fluksit të madh të pushuesve.
Një prej problemeve kryesore sipas shoferëve, janë rrugët e ngushta interurbane, të cilat nuk arrijnë të përballojnë fluksin e madh.
Ndërsa, nga ana e autoriteteve, kërkohet më së shumti zgjedhja e akseve alternative, aty ku krijohet mundësia.