Bllokohet tërheqja e 10 shefave të misioneve diplomatike

08 maj 2020 | 07:54

Është futur në bllokadë procesi i tërheqjes së ambasadorëve dhe shefave të misioneve që u ka skaduar mandati. Asnjëri prej 10 propozimeve të ministrit Konjufca për tërheqje të shefave të misioneve diplomatike e konsullore deri më tani nuk është miratuar nga presidenti Thaçi.

Në mesin e tyre janë të emëruar politikë ndaj të cilëve MPJD nuk ka obligim t’i sistemojë pasi t’u ketë përfunduar mandati, si dhe diplomatë të karrierës, të cilët duhet të vendosen në rrotacion, shkruan KOHA.

Janë mbushur tetë javë qëkur ministri Konjufca kishte nxjerrë shtatë vendimet e para, duke ia propozuar presidentit Hashim Thaçin dekretimin e tyre. Pa vulën e shefit të shtetit nuk mund të hyjnë në fuqi ato. Derisa në kabinetin e ministrit Konjufca kanë fajësuar presidentin për neglizhencë dhe bllokim të këtij procesi, në zyrën e Thaçit nuk janë deklaruar për këtë çështje. Vëzhgues të politikës së jashtme thonë se po bëhet betejë politike me shërbimin e jashtëm, i cili prej fillimit ka çaluar.

Më 3 mars Glauk Konjufca kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve, të cilëve u ka përfunduar mandati katërvjeçar. Ata janë: Vlora Çitaku (ShBA), Edon Cana (Bullgari), Lirim Grejçevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Mali i Zi), Ramadan Avdiu (Zvicër). Krahas tyre janë edhe tre shefa të misioneve konsullore, të cilët ministri i ka propozuar të tërhiqen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nga karantina…