Bloja e imët e metaforave të Pal Ndrecajt
Poezitë e vëllimit të ri poetik të poetit dhe prozatorit Pal Ndrecaj më dhanë një nga kënaqësitë e veçanta e të paharrueshme, por edhe të rralla në poezinë tonë, sa herë që ndeshim në art të bërë me dashuri e brishtësi. Poezia e Pal Ndrecajt është mbrujtur me imazhin kryesisht mendor ose, që të jemi më të drejtë e më të saktë, me habinë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në honet e subjektit lirik (unit lirik), me trandjen shpirtërore dhe pengjet. E kjo habi kërkon mokrra të rënda metafore për thellësitë e përvojës, që të jep blojën e vet të imët, si në vargjet e këtij vëllimi.
Prirja për t’i hapur udhë subjektivitetit të skajshëm, por edhe për ta kontrolluar dhe mbajtur atë në ndjenjën artistike të masës, duket se ka përcaktuar, për fat, edhe profilin e dallueshëm poetik të Pal Ndrecajt në peizazhin e poezisë sonë bashkëkohore: poezinë e metaforizuar meditative. Si rregull, poezitë e këtij vëllimi ndërtohen mbi një habi (sensacion), që skulpturohet me mjete të kursyera e të sakta, që t’i shërbejnë një megametafore, e cila përfaqëson krejt poezinë, sikundërse dhe ciklet me të cilat është arkitekturuar vëllimi.
Këto mjete të metaforës që zgjerohet vazhdimisht, Ndrecaj i ka zbutur dhe i shërbejnë me përulësi, pa nxjerrë therje e tinguj të vrazhdë: poezia ka një rrjedhë aq të natyrshme, aq të çiltër, sa intonacioni i shlirë e i natyrshëm i poetit bëhet ngjitës dhe ti, si lexues, ndihesh i përfshirë në këtë pikëvështrim, lexon fatin tënd dhe të botës, në një kuadër filozofik përvoje – empirike qoftë ajo, apo metafizike. Forca përtëritëse dhe e freskët e metaforizmit të poezisë së Pal Ndrecajt në krejt gamën, jo aq të gjerë tematike, vazhdimisht rreh të shohë, të zbulojë, të na sugjerojë anën tjetër, faqen tjetër të realitetit, i cili me gërshetimin e analogjive, na lë në prag të dyerve të një zbulimi… të cilin duhet ta bëjmë vetë. Ky parim ndeshet si në grupin e poezive me tematikë Krijimin (vuajtjen e krijimit, golgotën e krijimit), në të gjitha variacionet mitologjike, simbolike e thjesht, të përditshme, ashtu dhe në ciklin e mrekullueshëm të poezive të Moglicës, të lirikës shoqërore, brendashqiptare dhe gjithëhumane. Pikërisht ana e përtejme e realitetit që ndikon në ne padukshëm, sikundërse dhe sinteza e përvojës reale të veshur rreth një strumbullari metaforik, hap perspektivën e një metarealizmi në poezinë e Ndrecajt.
Metarealizmi është një formë e re e pakushtëzimit, e zbuluar në anën e përtejme të metaforës, e cila nuk e paraprin atë, por e përthith në kuptimin e saj figurativ. “Meta” është një pjesë e zakonshme e fjalëve të tilla si “metaforë”, “metamorfozë”, “metafizikë”. “Metarealiteti” është realiteti që shpaloset pas metaforës, në terrenin ku metafora e transferon kuptimin e saj, dhe jo në rrafshin empirik nga i cili e nxjerr atë.
Metaforizmi luan me realitetin lokal, kombëtar dhe global; metarealizmi përpiqet të kuptojë seriozisht një tjetër realitet, është realizmi i metaforës si metamorfozë, kuptimi i realitetit në gjerësinë e plotë të transferimeve dhe transformimeve të tij. Metafora është një fragment i një miti, një metarealitet (një imazh metarealist, një njësi e poezisë metareale – një përpjekje për ta rivendosur integritetin, një imazh individual që synon t’i afrohet mitit, sa më shumë që të jetë e mundur brenda kufijve të poezisë moderne).
Nga pikëpamja e lexuesit, vargjet dhe strukturimi i tyre në poezinë e Pal Ndrecajt kanë një spontanitet e lirshmëri që të kujton herë-herë traditën tonë poetike klasike e moderne, ndonjë jehonë kumbi, sikundërse dhe një shkartisje leksikore, skemash ritmike nga vargu i rimuar tek ritmi i vargut të lirë, por kujdes: ky është një intonacion i një zëri që po ju flet gjithë mirëbesim e sinqeritet, për t’ju marrë nga një rast konkret, thuajse i rëndomtë, në një lartësi metaforike ku kuptimësohet shekulli i përvojave tona të brendshme.
Duke lexuar këto poezi, ndodh diçka si me njeriun që është ngjitur në kafen e një grataçiele dhe papritur hedh vështrimin poshtë, ku dallohet, fjala vjen, udha e këmbësorëve si rrëke thneglash, lumi i makinave si buburrecë, ura dhe lumi dhe… ti ndien një turbullirë përbrenda, një marramendje.
Gjuha e natyrshme, e pasforcuar, intonacioni mirëbesues dhe notat e humorit, ironia dhe vetironia, veçse i ndihmojnë kësaj ndjesie të shkëputjes në fund të librit me poezi.
Agron TUFA
Zvicër, 23.12.2023