‘Bloomberg’: Akuzat ndaj Thaçit e Veselit fundosin përpjekjen e ShBA-së për të rinisur bisedimet Kosovë-Serbi
Aktakuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli nga Prokuroria e Gjykatës Speciale kanë marrë jehonë në gjitha mediet ndërkombëtare.
Media amerikane “Bloomberg” ka shkruar për pengesën që kanë hasur bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton lajmi.net..
“Tashmë shpresat janë të zbehta për një përparim mes fqinjëve, dhe shanset për një fitore diplomatike për ShBA-të u zhdukën kur presidenti i Kosovës u akuzua se kishte kryer krime lufte, ashtu ai po përgatitej për bisedime me serbët në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar ky medium.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka ngritur një aktakuzë prej 10 pikësh, në të cilën akuzohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe luftëtarët e tjerë me vepra penale gjatë luftës me Serbinë, dy dekada më parë, që përfshijnë “vrasje, zhdukje të detyruar të personave, persekutim dhe tortura.
Aktakuza pretendon se Thaçi dhe të tjerët janë “penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje”. Një gjyqtar i procedurës paraprake është duke e shqyrtuar atë për të vendosur nëse do të konfirmohen akuzat.
Siç ka shkruar “Bloomberg”, Thaçi do të pritej në Uashington të shtunën për bisedimet e organizuara nga i dërguari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq më 27 qershor. Ngjarja ishte një përpjekje për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve historike midis fqinjëve.
Është e paqartë nëse do të ketë një takim tjetër pasi Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që pritet të plotësojë Thaçin, gjithashtu tha se ai nuk do të udhëtojë në Uashington pas akuzave penale që tronditën shtetin më të ri të Evropës, ka shkruar “Bloomberg”.